AAK: Debatin e anuloi KPM-ja, jo Ramush Haradinaj

AAK: Debatin e anuloi KPM-ja, jo Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikatë ka treguar se përse është anuluar debati në Klan Kosova ndërmjet kandidatit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Sipas kësaj komunikate ky debat është anuluar për shkak të vendimit të Komisionit të Pavarur të Medieve dhe sipas AAK-së çdo shpjegim tjetër nga partitë politike është spekulim.

“Debati i paralajmëruar ndërmjet kandidatëve për kryeministër të Kosovës, në Klan Kosova, është anuluar për shkak të një vendimi të Komisionit të Pavarur të Medieve. Çdo shpjegim tjetër i kundërshtarëve politik, është spekulim i pastër”, thuhet në njoftim nga AAK.

“Ne e kuptojmë luftën politike, por kur ajo ndërtohet mbi bazën e gënjeshtrave është krejtësisht e papranueshme, dhe për qëllim ka manipulimin e opinionit publik. I nominuari për Kryeministër Ramush Haradinaj, është i vendosur që të mos bjerë në kundërshtim me traditën e normativave dhe zgjedhjeve!”, thuhet në njoftimin e dërguar nga AAK./Insajderi.com