AAK nominon për kryetar të Vitisë njeriun e ish-Presidentit Rugova

AAK nominon për kryetar të Vitisë njeriun e ish-Presidentit Rugova

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se ka caktuar kandidatin për kryetar komune në Viti. Sipas këtij njoftimi, Faruk Nura ka qenë pjesëtar i stafit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

“Faruk Nura, afarist i suksesshëm, ndër më të votuarit në zgjedhjet nacionale nga Komuna e Vitisë, ish-pjesëtar i stafit të Presidentit të ndjerë Rugova, sot është nominuar për kandidat të AAK-së, për kryetar komune në Viti”, thuhet në njoftim.

Për të AAK-ja thotë se ka qenë njëri prej aktivistëve të devotshëm të çështjes kombëtare, ndërkaq aktivitetin e tij politik deri vonë e ka zhvilluar nën siglën e LDK-së, dhe dy herë ka qenë kandidat për deputet i saj.

“Duke i uruar mirëseardhje zotit Nura, Kryetari i AAK-së dhe i nominuar për Kryeministër, Ramush Haradinaj, shprehu shpresën se kandidatura e zotit Nura, është një ofertë serioze për Vitinë dhe një shenjë e përkushtimit për një cilësi tjetër qeverisëse në këtë komunë”, thuhet në njoftim.

Kurse Nura ka falënderuar AAK-në dhe Haradinajn për besimin e dhënë duke thënë se do ta bëjë të pamundurën që këtë besim ta kthejë në të mirë të qytetarëve të Vitisë.