AAK kërcënon me destabilizim të vendit

29.03.2017 14:27
AAK kërcënon me destabilizim të vendit

Disa ditë para seancës së radhës ndaj Ramush Haradinajt në Francë, zyrtarë të partisë së tij, AAK, thonë se nëse ai nuk lirohet atëherë nuk garantohet qetësia në Kosovë.

Deputetja e kësaj partie, Time Kadriaj thotë se Haradinaj po mbahet padrejtësisht dhe gjithë kjo zvarritje e procesit, është një padrejtësi që po i bëhet atij.

“Zoti Haradinaj duhet të kthehet në vend, sepse në fakt, nuk do të ketë qetësi dhe nuk do të ketë stabilitet nëse ai vazhdon të mbahet në Francë”, tha Kadriaj për Radio Kosovën.

Kuvendi i Kosovës më 9 mars miratoi një rezolutë përmes të cilës kërkohet lirimi sa më i shpejtë dhe pa kushte i Haradinajt, ndërsa kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e tij.

Po ashtu, në rezolutë thuhet që Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga BE-ja që ta detyrojë Serbinë që t’i anulojë të gjitha aktakuzat dhe fletarrestimet e lëshuara nga Serbia nëpërmjet Interpolit për shtetasit e Kosovës. Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, është kritike për angazhimin e institucioneve për këtë rast, teksa thotë se nuk po përfillet as rezoluta e Kuvendit.

“Vetë rezoluta dhe rekomandimet e rezolutës e obligojnë Qeverinë që me prioritet të trajtohet rasti i Haradinajt, ndërsa nga krerët e shtetit, as nga presidenti, as nga kryeministri, as nga ministri i Punëve të Jashtme, nuk e kemi ndonjë reagim të sinqertë, ose ndonjë informatë shtesë se cili është angazhimi i institucioneve të Kosovës në raport me Haradinajn”, tha Kadriaj.

Në Qeverinë e Kosovës kanë refuzuar të flasin lidhur me atë se çfarë po bën Qeveria për lirimin e Haradinajt. Por, gjithsesi, deputetë nga koalicioni qeverisës, e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm pezullimin e dialogut si kusht për lirimin e Haradinajt.

Këtë e përmendi edhe deputetja e LDK-së, Njomza Emini, njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, në tryezën e Institutit Demokratik të Kosovës ku u fol për pezullimin e këtij dialogu.

“Nuk mund të quhet i ndërprerë ky pezullim, por i kushtëzuar, sepse kërkohet lirimi i Haradinajt, pasi që ai tashmë ka kaluar nëpër filtrat e drejtësisë ndërkombëtare dhe është liruar. Pra, ai është i pafajshëm”, tha Emini pë Radio Kosovën.

Më 2 mars, kur u shty seanca në Gjykatën e Colmarit, ish kryeministri Haradinaj vendosi t’i lirojë nga detyra avokatët e tij në Francë, duke konsideruar se rasti i tij është shndërruar në lojë politike. Ndërkaq, avokati i tij në Kosovë, Arianit Koci, nuk ka preferuar të flasë, pa u afruar 6 prilli, kur do të mbahet seanca e re për Haradinajn.