AAK kërkon nga Qeveria që t’ua ndalojë zyrtarëve të Serbisë hyrjen në Kosovë

AAK kërkon nga Qeveria që t’ua ndalojë zyrtarëve të Serbisë hyrjen në Kosovë

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërpresë bisedimet me Serbinë, e po ashtu, të mos lejojë zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë.

Kjo kërkesë e Gjinit ka ardhur pasi që autoritetet franceze mbrëmë arrestuan liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj pas një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

“Kërkojmë që autoritete franceze të kuptojnë se këto fletëarreste nga Serbia nuk kanë asnjë variant për qëllim zbardhjen çfarëdo drejtësie apo sjellje të drejtësisë por vetëm destruktivitet ndaj Kosovës”, ka thënë Gjini në një konferencë për media.

“Shërbimi diplomatik i Kosovës e ka vizituar z.Haradinaj duke na e bërë të ditur se është mirë pasi ai asnjëherë nuk sillet në pozita të palakueshme dhe vetëm Kosova po sillet në pozita të palakmueshme. Nuk mund ta dimë se a do të kthehet sot, ambasadori francez në Kosovë na e ka bërë të ditur se po bëhet gjithçka që kjo procedurë të rregullohet sa më shpejtë dhe të kuptojnë se këto fletëarreste nuk kanë të bëjnë fare me drejtësi por janë të drejtuar kundër udhëheqësve të Kosovës”, ka shtuar Gjini, shkruan telegrafi.

Ai ka shtuar se janë duke pritur për vendimin e sotëm të bindur se autoritete franceze e kanë kuptuar drejt situatën.

Për nesër është paralajmëruar se në Kosovë do të vijnë presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.