AAK: Gjykata franceze është vënë në shërbim të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit

02.03.2017 10:02
AAK: Gjykata franceze është vënë në shërbim të bashkëpunëtorëve të Millosheviqit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Colmarit që për fatin e Ramush Haradinajt të vendoset më 6 prill.

AAK përmes një komunikate është shprehur e habitur se si Gjykata franceze janë vënë në shërbim të ish-bashkpuntorëve të Millosheviqit, të cilët po provokojnë situatën në Kosovë.

“Shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë, është abuzim me drejtësinë. Vendimi është i palogjikshëm, dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të  Millosheviqit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

AAK, shtyerjen e vendimit për Haradinajn e konsiderojnë përpjekje të drejtpërdrejtë politike.

Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet, sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj./Insajderi.com