AAK e zhgënjyer me angazhimin e shtetit për lirimin e Ramush Haradinajt

AAK e zhgënjyer me angazhimin e shtetit për lirimin e Ramush Haradinajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është e kënaqur me angazhimin e Institucioneve të vendit për lirimin nga arrestimi në Francë të liderit të saj, Ramush Haradinaj.

“AAK, shpreh zhgënjimin e saj me komoditetin e Institucioneve shtetërore të Kosovës, në raport me rastin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet ende në Francë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

“Reagimi përmes deklaratave i Qeverisë së Kosovës, i Presidentit, apo mosgatishmëria e Kuvendit që të mbajë seancë të jashtëzakonshme për Rastin Haradinaj dhe të njëjtin ta shtyjë për të martën, me arsyetim se nuk po mund t’i mbledhim deputetët, janë qasje jo-shtetërore dhe si të tilla të papranueshme”, vazhdon reagimi.

Sipas AAK-së, ndalimi i Haradinajt në Francë, për motive politike e jo të drejtësisë, nuk ka të bëjë me individin, qoftë ai edhe ish-Kryeministri i vendit, por me Kosovën si shtet e si shoqëri.

“Prandaj përfaqësuesit e Shtetit duhet ta kuptojnë se angazhimi për kthimin e Haradinajt në Atdhe, është obligim shtetëror dhe jo çështje e vullnetit!”, thuhet më tej.

“Ne u jemi mirënjohës mijëra qytetarëve në të gjitha anët e Globit, të cilët i janë vënë në krah Ramush Haradinajt, dhe nuk mund të mos e themi se personat që drejtojnë Kosovën, nuk janë as në bisht të këtij angazhimi të interesit nacional”.

“Njëkohësisht e kuptojmë revoltën dhe mllefin e mijëra njerëzve karshi kësaj padrejtësie që po i  bëhet Kosovës si shtet, dhe Haradinajt si vlerë e tij, por i lusim qytetarët që të mos e pranojnë logjikën e konfrontimit dhe të përdhosjes së simboleve të shteteve tjera, sepse kjo nuk është në kulturën tonë. Ta mbështesim Haradinajn me dinjitet, siç është ai vet!”, përfundon reagimi i AAK-së./Insajderi.com