Pal Lekaj, për Insajderin tha se qëndrojn�" />

AAK i bie pishman, thotë se Haradinaj u keqkuptua

AAK i bie pishman, thotë se Haradinaj u keqkuptua

Disa orë pasi kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, për Insajderin tha se qëndrojnë prapa deklarimit të deputetit të kësaj partie dhe vëllait të Ramush Haradinajt, ka reaguar partia.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, pas reagimeve të shkaktuara nga një deklaratë e ditëve më parë nga deputeti i saj, Daut Haradinaj, i cili e ka kërcënuar Serbinë me luftë, nëse vëllai i tij, Ramush Haradinaj, ekstradohet në Serbi.

“Deklarata e deputetit Daut Haradinaj është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka qenë thirrje për spastrim etnik, siç e kanë paraqitur disa media, por ngritje e alarmit për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës, edhe përmes rastit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të cilat do të mund të kishin pasoja të rënda për të gjithë!”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.

“Edhe nëse në deklaratën e deputetit Haradinaj, ka pasur tone emocionale, ato duhet parë si të tilla”, ka thënë AAK, raporton Gazeta Express.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, ju kujtojmë së Ramush Haradinaj e ka mbrojtur popullatën civile e fëmijët në Kosovë. Ramush Haradinaj i ka mbrojtur kishat serbe në Kosovë. E ka mbrojtur popullatën serbe dhe në kohë paqe, ka krijuar programe për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. I pari ka dal hapur kundër ekstremizmit fetar. Dhe pikërisht tani, disa njerëz e disa qarqe, mbrenda dhe jashtë Kosovës, po duan që duke e izoluar Ramush Haradinajn ta provokojnë një situate tjetër të rrezikshme në Kosovë!”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Partia opozitare ka thënë se ajo dhe deputetët e saj, pa përjashtim, janë të përcaktuar për shtet ligjorë e të drejtë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të kenë të drejta të barabarta.

“Por në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, nuk do te pajtohemi me provokimet që po na i bënë Serbia, edhe përmes rastit të Ramush Haradinajt”, është shprehur AAK.

Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka thënë se “sot është koha e fundit që t’u thuhet stop këtyre provokimeve, për çka ne llogarisim seriozisht edhe në ndihmën e partnerëve tanë”.

“Boshti i problemit nuk janë deklaratat e politikanëve në Kosovë, por veprimet konkrete të Serbisë, brenda dhe jashtë territorit të Kosovës”, ka thënë AAK.