A po vazhdon përplasja mes Lushtakut dhe Haxhiut në Skenderaj

A po vazhdon përplasja mes Lushtakut dhe Haxhiut në Skenderaj

Dega e Partisë Demokratike në Skenderaj, duket se nuk është e konsoliduar ashtu siç kishin deklaruar krerët më të lartë të kësaj partie.

Përplasja në mes Sami Lushtakut dhe Bekim Haxhiut- Kamishit, duket se po zhvillohet në heshtje. Kjo pasi që kohë më parë, të dy këta, kishin filluar një betejë të ashpër për kreun e të parit në Skenderaj.

Kjo kishte çuar edhe deri te përjashtimi i disa anëtarëve të kësaj dege, duke e përfshirë edhe deputetin Kamishi.

Përjashtimin e tij nuk e kishte pranuar Haxhiu, i cili kishte akuzuar Lushtakun se po dëshiron që të diktojë të gjitha vendimet e degës së PDK-së në Skenderaj.

Për pajtimin e tyre, kohë më parë kishte ndërhyrë edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli. Ai në disa tubime me qytetarë të kësaj ane, i kishte bërë bashkë Lushtakun dhe Haxhiun.

Por, në aktivitetin e fundit të PDK-së në Skenderaj, nuk ka qenë i pranishëm deputeti Bekim Haxhiu-Kamishi. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka bërë të ditur se ka qenë në një tubim në Skenderaj.

Në fotot e postuara nga kreu i PDK-së, shihet kryetari i degës së PDK-së, në këtë komunë, Sami Lushtaku, por jo edhe deputeti Bekim Haxhiu, i cili vjen po nga kjo degë. “Me Rininë Demokratike në Skënderaj, e cila këto ditë po zhvillon një proces të suksesshëm zgjedhor.

Rinia e mrekullueshme që kemi, vajza dhe djem me potencial të jashtëzakonshëm, do të ketë rol aktiv në Dekadën e Re dhe mundësi për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme. Bashkë, do të bëjmë PDK-në më të fortë dhe Kosovën më të mirë”, ka shkruar Veseli në Facebook. /Insajderi.com