A janë siguruar votat për Demarkacionin – flasin zyrtar nga koalicioni qeverisës

A janë siguruar votat për Demarkacionin – flasin zyrtar nga koalicioni qeverisës

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë se nga nesër demarkacioni nuk do të jetë më pikë e rendit të ditës.

Ai ka theksuar se është shumë i bindur se nesër do të votohet marrëveshja e demarkacionit.

“Numrat janë. Dy të tretat e deputetëve do ta votojnë këtë marrëveshje. Arsyeja pse është thirrur seanca tregon se janë numrat. Ndryshe nuk do të thirrej”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.

Një ditë para se marrëveshja e demarkacionit me Malin e të Zi të jetë në Kuvend, ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat apo jo, ku për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Kundër kësaj marrëveshje janë deklaruar Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka tri vite që nuk e merr bekimin e Kuvendit, ndërkaq ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ndër kriteret e liberalizimit të vizave.