A do të ketë liberalizim të vizave nëse kalon demarkacioni – përgjigja e Korab Sejdiut

A do të ketë liberalizim të vizave nëse kalon demarkacioni – përgjigja e Korab Sejdiut

Për deputetin e pavarur, Korab Sejdiu, liberalizimi i vizave ndodhet ende larg, edhe nëse do të kalojë demarkacioni për kufirin Kosovë-Mali i Zi.

Ai në një intervistë për Insajderin, ka thënë se Kosova e posedon kushtin tjetër për liberalizim, e ai është luftimi i krimit dhe korrupsionit, e që sipas tij vendi ynë është shumë larg nga plotësimi i këtij kushti.

Sejdiu shtoi se me ratifikimit e demarkacionit, do të ishim një hap më afër liberalizimit, por jo domosdoshmërisht afër tij.

“Nuk është liberalizimi dika që ndodhë menjëherë pas kalimit të demarkacionit sepse ende ekziston kushti i luftimit të korrupsionit, ku qëndrojmë shumë dobët. Për më tepër, edhe BE, përkatesisht vendet e Schengen, duhet të vendosin nëse janë të gatshme t’ia liberalizojnë vizat kosovarëve. Pra, nuk është dika automatike, por me kalimin e demarkacionit do të ishim një hap me afër liberalizimit, por jo domosdoshmërisht afër”, ka thënë Sejdiu.

Seanca për votimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është caktuar për të martën, në orën 16:00. Tashmë partitë PDK-LDK-AAK dhe Nisma, kanë deklaruar votën pro kësaj marrëveshje., që të gjithë së bashku përbëjnë 79 vota, një më pak sa është e nevojshme për kalimin e kësaj teme. Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe “Grupi i Deputetëve të Pavarur”, kanë deklaruar se do të votojnë kundër. Deri më tani, edhe Lista Serbe, nuk ka dhënë shenjë që do të votojnë pro kësaj ështje, përkundër që kishin pasur takime dhe konsulta me krerët më të lartë të vendit./Insajderi.com