Një thënie thotë se ju jeni po aq të vjetër se sa ju ndjeheni. Lojërat në Sony Play Station konsiderohen të jenë për të rinjtë, mirëpo jo në rastin e Ahemet Dedincës, 83 vjeçarit nga Prishtina.
Lojën e futbollit në Sony Playstation, Dedinca e ka filluar para së paku 25 vite.
“Së pari e kemi pasur Nintendon, kam lujtë me te. Tani i kemi pasur disa kaseta te vogla, mirëpo aj ka qenë futbolli i vogël. Tani në 5-6 vitet e fundit kam luajtur me Sony Playstation.”
Dedinca nganjëherë shpenzon deri në 5 orë duke luajtur futboll, kështu duke u bërë i ekspert lojës. Ai ka arritur që në këtë lojë ti mposhtë edhe nipat e tij.
Nipi tha se edhe gjersa e kanë pasur Nintendo-n, gjyshi i tij ka luajtur gjatë gjithë kohës. Edhe lojërat të cilat i kishte instaluar në kompjuter, ai thotë se gjyshi i tij i ka luajtur pothuajse të gjitha.
Dedinca është një adhurues i madh i sportit, e veçanërisht futbollit me ekip të preferuar Barcelonën. Ai ka folur edhe për arritjet më të mëdha Shqiptare në sport, që e kanë bërë të ndjehet krenar.
“Dy sende më kanë gëzuar më së forti në sport. Mas pari sa ishte Flamurtari, kur e ka mujtë Beogradin, Partizanët e Beogradit, midis Beogadit. Kurrë gëzim ma të madh, kam qenë duke pirë qaj, e kam thy at bardak, e kam lanë në prezore dhe kam thanë, kurrë kurrkush nuk guxon me prekë. Edhe 3 vjet a 4 ka qëndru, tani na u kall me shpi e me krejt. I dyti, Xhevdet Peci, boks, u rreh me një shka në Beograd, edhe e rrihi shkaun. Ku ta zateti, me puthë në dy faqet.”
“Sportin e kam dashtë gjithë, futbollin sidomos,” tha Dedinca.