800 tërmete kanë goditur Shqipërinë gjatë këtij sezoni veror

800 tërmete kanë goditur Shqipërinë gjatë këtij sezoni veror

Tërmetet e njëpasnjëshme vazhdojnë të lëkundin Shqipërinë e Mesme në këtë sezon veror. Kjo situatë ka shkaktuar frikë tek njerëzit, por sizmologët shprehen se nuk ka vend për panik.

Pas tërmetit te djeshme qe shkundi Tiranen, një tjetër termet është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas IGJEUM lëkundja është regjistruar në orën 01:54 në Kuraten, Durrës dhe ka pasur magnitude 1.4. Lëkundja ka qene për fat e lehte dhe nuk është ndjere shume.

“Epiqendra e tërmetit të djeshëm ishte rreth 11 km në verilindje të Peqinit. Ai i datës 4 ishte 5.1, kurse ky 4.7. Kjo diferencë në magnitudë tregon edhe një diferencë në energjinë e rrezatuar. Pra, nuk është se ka qenë më i rrezikshëm se ai i pari”, u shpreh Edmond Dushi, sizmiolog.

Por sa normale është kjo vazhdimësi lëkundjesh sizmike?

“Shpeshtësia e këtyre tërmeteve është më e madhe në raport me ato që kanë magnitudë më të madhe. Pra, ka një ligjshmëri që sa më e vogël të jetë magnituda aq më shpesh i presim”, shpjegon Dushi.

Tërmeti i djeshëm me epiqendër në Peqin ishte i izoluar, pa lëkundje të tjera pasuese. Ndryshe nga tërmeti në Gjirin e Lalzit dy javë më parë.

“Që nga ai moment e deri tani që po flasim janë regjistruar dhe vazhdojnë regjistrohen, por me një intesitet shumë të ulët dhe në frekuencë e në magnitudë, 820 ngjarje”, tha Edmond Dushi.

Tërmetet janë të paparashikueshme dhe nuk mund të themi a do të vijojnë, por duke qenë se Shqipëria është vend aktiv në aspektin tektonik, tregon sizmiologu, mund të aktivizohen zona të tjera në vend.