7-vjeçarja Bana Alabed vajton “fundin e humanizmit” pas sulmit në Siri

7-vjeçarja Bana Alabed vajton “fundin e humanizmit” pas sulmit në Siri

Një vajzë shtatë vjeçe, Bana Alabed, e cila ka tërhequr vëmendjen e njerëzve me postimet e saj në Tëitter nga qyteti Alepo i Sirisë, nuk ka reshtur së postuari të martën, pas një sulmi që la afër 60 persona të vdekur në një qytet në veri-perëndim të Sirisë.

“Tung botë, unë jam Bana. Unë jam një vajzë shtatë vjeçare siriane. Njerëzit këtu po vdesin çdo ditë derisa ju po vështroni. Ky është fundi i humanizmit,” është një nga postimet e saj.

“E dashur botë, këta fëmijë sot janë vrarë me armë kimike në Iblid. Turp për ju vrasësit, turp”, është postimi tjetër.

Bana Alabed tërheq vëmendjen e mijëra njerëzve të cilët shpërndajnë postimet e saja, duke u solidarizuar me keqardhjen e saj. Në përshkrimin e saj në Tëitter, ajo e përshkruan veten si një “të mbijetuar të bombardimeve dhe luftës”.

Ajo ndiqet nga rreth 360 mijë njerëz nga e mbarë bota përmes këtij rrjeti social.

Më herët ajo ka shkruar letër edhe liderëve botëror lidhur me tmerret e luftës në Siri, përfshirë këtu edhe Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministren britanike, Theresa May.

Të paktën 58 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar kimik në një qytet në Siri.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se sulmet mbi Khan Sheikhoun nga qeveria siriane ose avionëve rusë kishin shkaktuar mbytjen e shumë personave.

Aktivistët e opozitës lokale dhe faqet e lajmeve kanë postuar fotot e atyre që thanë se kishin vdekur nga asfiksia.

Qeveria siriane ka mohuar në mënyrë të përsëritur përdorimin e armëve kimike.

Nëse konfirmohet, kjo do të ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse kimike në Siri që nga fillimi i luftës civile gjashtë vjet më parë.

Në anën tjetër, Federica Mogherini, ka lënë fajtore regjimin e Bashar al-Assad për sulmin kimik në një bastion rebel dhe xhihadist.

“Sot, lajmet janë të tmerrshme. Natyrisht përgjegjësia kryesore bie mbi regjimin sirian”, deklaroi Mogherini për median ndërkombëtare në kuadër të një konference ndërkombëtare në Bruksel për rindërtimin e Sirisë.

“Por, ky është një paralajmërim tragjik që situata në terren vazhdon të jetë dramatike në shumë pjesë të Sirisë”, deklaroi ajo.

“Natyrisht përgjegjësia kryesore bie mbi regjimin sepse ai ka si detyrë të mbrojë popullin dhe jo për ta sulmuar”, nënvizoi Mogherini.

“Të paktën 11 fëmijë bëjnë pjesë mes personave të vrarë nga sulmi ajror që goditi sot Khan Cheikhoun, në provincën Idleb”, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), duke cituar burime mjekësore në qytet./Insajderi.com