7 mijë e 200 kandidatë fillojnë fushatën zgjedhore

7 mijë e 200 kandidatë fillojnë fushatën zgjedhore

Sot ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor.

Janë 7 mijë asamblistë që kandidojnë për kuvendet komunale në Kosovë, ndërsa për kryetarë komune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 200 kandidatë.

Ata sot kanë filluar fushatën me shumë optimizëm.

Partitë më të mëdha në vend fushatën e tyre e kanë filluar në kohë të njëjtë, në orën 17:00, raporton Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje e cila është edhe një nga partitë më të mëdha në Kuvendin e Kosovës, ka hapur fushatën në qytetin e Prizrenit. Në këtë tubim lideri i kësaj partie tha se pas 22 tetorit, Vetëvendosje do të qeverisë në shumë komuna.

Ndërsa partia e cila e udhëheq Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar fushatën e saj në qytetin e Mitrovicës, ku kandidon me Valdete Idrizin.

E Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është duke synuar që ta rikthej Prishtinën, fushatën e ka hapur po në kryeqytet me kandidatin e saj Arban Abrashi.

Ndërsa shefi i qeverisë së Kosovës, njëherit edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka hapur fushatën në kryeqytet, ku kandidatë për të parin e kryeqytetit është Arbër Vllahiu, i cili është edhe këshilltar i tij.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka uruar hapjen e fushatës për zgjedhjet komunale në Kosovë.

Ai përmes një postimi në Facebook-un e tij, ka thënë se kjo është një mundësi që të gjithë kandidatët të tregojnë përkushtimin e tyre për zgjedhje, siç ka thënë ai, të lira, të ndershme dhe demokratike.

Përmes një komunikate të përbashkët, fushtë të lirë kanë kërkuar edhe ambasadorët e QUNT-it.

“Qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që – pa kërcënim ose dhunë – të shpërndajnë informata për zgjedhjet, dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa presion”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar tanimë subjektet politike garuese që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Gjithsej janë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 Parti Politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. /Insajderi.com