7 gjëra që do të mbahen në mend nga debutimi i Kosovës

12.10.2017 20:30
7 gjëra që do të mbahen në mend nga debutimi i Kosovës

Mediumi francez So Foot, i cili publikohet në verisonin online përmes faqes elektronike sofoot.fr, ka renditur shtatë gjëra që do të mbesin në kujtesë nga kualifikueset e para të përfaqësueses së Kosovës.

Sipas So Foot, këto janë shtatë gjërat që do të mbahen në mend nga debutimi i Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës:

Një skuadër e “lindur” në vitin 2014

Ishte 2 marsi i vitit 2014 – tri ditë para ndeshjes së parë miqësore të Kosovës kundër Haitit. Trajneri Albert Bunjaki kishte shpalosur një fletë të madhe të bardhë para futbollistëve të tij.

“Bëhuni gati, keni pesë minuta kohë. Mendohuni dhe shkruani se ‘përse jeni këtu?’”, u thotë Bunjaki, futbollistëve të tij.

Pas pesë minutave, përzgjedhësi Bunjaki shpalos një faqe tjetër nga tabela e tij. Aty shënohej: “Kupa e Botës 2018. Ky është synimi”.

Diaspora nga e gjithë Evropa

Pas luftës së Kosovës, shumë njerëz u larguan nga Kosova për t’i ikur regjimit të Millosheviqit. Gjermania, Suedia, Zvicra e Norvegjia ishin shtetet ku emigruan më së shumti kosovarë gjatë luftës. Sot, shumë fëmijë të kosovarëve që u shpërngulën nga Kosova, kanë mundësi të luajnë për përfaqësuesen e Dardanëve.

Edhe në kualifikueset për Kupën e Botës 2018, në përfaqësuesen e Kosovës kishte në përbërje një numër të madh të futbollistëve që vinin nga diaspora.

Që në ndeshjen e parë të Kosovës në kualifikuese, në skuadër ishin të përfshirë nëntë futbollistë nga diaspora: Fanol Përdedaj, Enis Alushi, Bersant Celina, Elbasan Rashani, Hekuran Kryeziu, Albert Bunjaku, Sinan Bytyqi, Vedat Muriqi dhe Erton Fejzullahu.

Ndeshja e parë zyrtare

“Objektivi: Kupa e Botës”. Dy vjet e gjysmë më vonë, fjalimi i Bunjakit para lojtarëve të tij para ndeshjes me Haitin merrte kuptimin e plotë më 5 shtator, 2016. Dardanët, në këtë datë, luajtën ndeshjen e parë zyrtare në kualifikueset për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

“E dinim se është skuadra e vetme në grupin tonë që ne mund ta mposhtim”, thoshte kapiteni i Kosovës, Sajmir Ujkani, pas ndeshjes me Finlandën.

Kosova arriti të fitonte një pikë në ndeshjen e parë zyrtare të saj, pasi barazoi 1-1 me Finlandën. Ndeshja u zhvillua në Turku.

Shumë humbje

Pasi mori një pikë në udhëtimin në Finlandë, Kosova moti vetëm humbje në ndeshjet e ardhshme. Por, në një inspektim më të afërt, ai nuk kishte të bënte asgjë me kundërshtarët e tij. Nëntë ishin humbjet që pësoi Kosova nga dhjetë ndeshjet kualifikuese.

Përveç një disfate të thellë përball Kroacisë 6-0, në takimet e tjera Kosova u mposht me rezultate të ngushta. Shembulli më i mirë është ndeshja e kthimit në Kroaci, në Zagreb, ku Dardanët u përballen fuqishëm me fqinjtë e të tyre të Ballkanit gjatë gjithë takimit, duke u gjunjëzuar më pak se 20 minuta para përfundimit. Kroacia fitoi 1-0.

Photo: Armin Durgut / Pixsell / Icon Sport

Ndeshjet “në shtëpi” u zhvilluan në Shqipëri

Ashtu si Gibraltari, të cilët po i luajnë ndeshjet e tyre si vendas në Portugali, Kosova nuk i luajti ndeshjet e saj në shtëpi për shkak të mungesës së një stadiumi me standarde të UEFA-s në territorin e tyre.

Dardanët i zhvilluan ndeshjet e tyre zyrtare në Shkodër, në veri të Shqipërisë.

Kjo nuk pengoi që 16,000 bileta të stadiumit Loro-Boriçi të shiteshin “brenda dy apo tre orësh” kur Kosova u ndesh me Kroacinë.

Kombëtarja Kuq e Zi dhe ndarja mes tifozëve

Para se Kosova të bëhej anëtare e UEFA-s, shqiptarët e Kosovës e kanë mbështetur kombëtaren e Shqipërisë. Disa prej tyre, sepse po prisnin që Kosova të inkuadrohej në UEFA, e disa të tjerë sepse e ndjejnë më shumë flamurin kuq e zi.

Në këtë çështje, lideri i tifozerisë “Plisat”, ALbert Kastrati kishte deklaruar se e mbështet vetëm kombëtaren e Shqipërisë.

“E dua Kosovën, po aq sa Shqipërinë. Por, Kosova është pjesë e Shqipërisë, mua nuk më pëlqen flamuri, është fallto”, kishte deklaruar Kastrati, në një intervistë me mediumin So Foot.

Premtime për t’u mbajtur

Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës luajnë me shumicë jashtë kampionatit vendas të futbollit. Vetëm dy portierët – Bledar Hajdini dhe Visar Bekaj – vijnë nga Superliga e Kosovës, nga 23 futbollistët e grumbulluar së fundmi në përfaqësuesen e Kosovës.

Në ndeshjen e fundit të Kosovës, ndaj Islandës, mesatarja e moshës së skuadrës që kishte zbritur në fushë ishte nën 24 vjeç.

Futbollisti më i dalluar i Kosovës? Duhet të jetë Valon Berisha që luan me Red Bull Salzburg – katër herë kampion i Austrisë. Por, nuk duhen harruar as dy sulmuesit e rinj Milot Rashica i Vitesse dhe Bersant Celina i Ipswich Town.

Ish-trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki kishte premtuar kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2020. Talenti dhe perspektiva e përfaqësueses së Dardanëve nuk mungon. /Insajderi.com