69 zyrtarë policorë janë arrestuar vitin e kaluar në Kosovë

69 zyrtarë policorë janë arrestuar vitin e kaluar në Kosovë

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti ka njoftuar se gjatë vitit 2016 janë arrestuar 69 zyrtarë policorë.

Ai gjatë raportimit para komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, deklaroi se grada më e lartë e zyrtarëve policor të hetuar nga ky institucion është grada e majorit.

Ai ka thënë po ashtu se është paraparë që të rritet kapaciteti njerëzor brenda këtij Institucioni për 23 persona por që për një gjë të tillë nuk janë paraparë mjetet financiare.

“Çështja e parë për të cilën kërkojmë mbështetje është se është paraparë rritja e kapaciteteve njerëzore për 23 persona por nuk janë ndarë mjetet financiare”, tha Mehmeti.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor gjithashtu ka treguar se mosha mesatare e inspektorëve është 35 vjet, derisa ka folur edhe për rekomandimet e Auditorit të Brendshëm.

Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar auditori ka kryer katër auditive dhe asnjë nuk ka mbetur pa u raportuar gjatë këtij viti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi para Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri nuk ka e parë të arsyeshme se pse Inspektoriati i Policisë duhet të evidentoj rritjen e numrit të ankesave të qytetarëve serbë.

“U raportua se është rritur numri i ankesave të qytetarëve serbë, pse do të duhej të evidentohej kjo rritje krahasuar me qytetarët shqiptarë ose minoritetet tjera”, i ka drejtuar Selimi pyetjen Kryeshefit Ekzekutiv të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Selimi gjithashtu e ka pyetur Mehmetin edhe se a planifikon të rikthehet në Policinë e Kosovës pas përfundimit të mandatit të tij në krye të këtij Inspeksioni.

“Nuk planifikoj të rikthehem kjo është një çështje personale”, është përgjigjur Mehmeti.

Gjithashtu në pyetjet e drejtuar Kryeshefit të Inspektoriatit të Policisë, Daut Haradinaj e ka pyetuar Hilmi Mehmetin se mos është duke ndërhyrë politikisht që ai mos të merret me suspendimin e policëve.

Hilmi Mehmeti është përgjigjur se pasi ka ma marr pozitën e kryeshefit të inspektoratit është betuar se do të veproj vetëm sipas ligjit.

Në këtë mbledhje të Komisionit gjithashtu u miratua ndryshimi i ligjit për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta.

“Ligji është ndryshuar ju ka hequr fjala të vogla dhe të lehta sepse nuk dihet se për çfarë armë bëhet dhe e kemi lënë vetëm armë, ka raportuar Rexhep Selimi para komisionit. /Insajderi.com