Lutfi Haziri kritikohet për keqmenaxhim të fondit humanitar

Qeverisjes komunale në Gjilan i kanë mbetur të pa harxhuara rreth 200 mijë euro fonde humanitare të grumbulluara nga donatorët në tetor të vitit 2014. Pushtetarët arsyetohen se ende nuk kanë përfunduar procedurat tenderuese të kontraktimit të një firme private që do të ndërtonte shtëpitë për qytetarët në nevojë. Opozita kritikon për mungesë transparence e keq menaxhim.

Lutfi Haziri kritikohet për keqmenaxhim të fondit humanitar

Opozita në Gjilan dyshon se fondi humanitar i emërtuar “Pak nga ne, shumë për ata”, është duke u keqmenaxhuar nga pushtetarët e kësaj komune.

Riad Rashiti, këshilltar në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, thotë se paratë e donatorëve po flenë nëpër llogari të ndryshme bankare.

‘’Shtrohet pyetja se cila është arsyeja, që edhe pse kanë kaluar mbi një vit e gjysmë, këto para të donatorëve po flenë nëpër llogari të ndryshme bankare, pa asnjë arsye të vetme, vetëm nëse organizatorët kanë ndonjë interes e që ne nuk e dijmë..’’, ka thënë Rashiti.

Ai shton se në raportin për vitin të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, shënon se kanë mbetur edhe 200 mijë euro të pa harxhuara që i përkasin fondit humanitar “Pak nga ne, shumë për ata”.

Ky raport, sipas tij, do të paraqitet nesër në asamblenë komunale të Gjilanit. Paratë janë grumbulluar më 17 tetor të vitit 2014 nëpërmjet organizimit të një gala mbrëmje humanitare nga qeverisja komunale e Gjilanit.

“Por mos transparenca e këtij fondi është shume e madhe, ne si anëtarë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, kemi kërkuar disa herë informacione me shkrim nga kryetari i Gjilanit dhe ai asnjëherë nuk na është përgjigjur, për mënyrën e menaxhimit të këtij fondi”, shton Rashiti.

Ngjashëm me të mendon edhe Nevzad Isufi, shef i asamblistëve të Vetëvendosje në Gjilan.

“Ne kemi kërkuar transparencë të plotë nga kryetari i Komunës së Gjilanit rreth këtij fondi humanitar, ku sipas të cilëve (qeverisjes komunale), nga ky fond janë ndërtuar 25 shtëpi dhe janë kursyer 200 mijë euro. Por edhe pse është fond humanitar është dashur të jetë krejtësisht transparent dhe të dihet se kush e ka themeluar, kush e menaxhon dhe si e menaxhon”, ka thënë Isufi për Insajderin.

Ai ka shtuar se pret që nesër në seancën e kuvendit komunal të informohet nga pushtetarët se çfarë është duke ndodhur me këtë fond humanitar.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga opozitarët në Gjilan, Insajderi ka kontaktuar Arbër Ismajlin, shef i kabinetit të kryetarit Haziri.

Ai ka thënë se mjetet prej 200 mijë eurosh nuk janë harxhuar për shkak se ende nuk është zgjedhur operatori ekonomik për ndërtimin e shtëpive për qytetarët në nevojë.

“Kur te zgjidhet operatori ekonomik ato mjete fillojnë me u shpenzu varësisht prej kërkesave që na i kemi marrë prej qytetareve. Mjetet janë në Bankën Kombëtare Tregtare. Llogaria është publike  dhe mundet më i pa secili qytetar’’, ka thënë Ismajli.

Tenderi për kontraktimin e një firme private është shpallur në tetor të vitit të kaluar dhe ende nuk është zgjedhur fituesi.

Megjithatë, autoritetet komunale në Gjilan kanë lëvizur në drejtim të ndërtimit të disa shtëpive me paratë e këtij fondi.

Më 16 janar të këtij viti, kryetari Haziri ka përuruar shtëpinë e 25-të të ndërtuar deri më tani nëpërmjet këtij fondi. Ka premtuar se do të organizohet edhe një mbrëmje humanitare për grumbullim të fondeve.

“Kjo është shtëpia e 25-të e ndërtuar deri më tani. Do të vazhdohet edhe me ndërtimin e 5 shtëpive të reja, ku dy ndërtohen nga donatorët dhe të tjerat nga fondi i grumbulluar. Sikur që do të vazhdohet edhe me renovimin e mbi 35 shtëpive dhe zgjidhjen e problemeve sociale. Gjithashtu, do të organizohet edhe një mbrëmje e tillë që të bëhet e mundur zgjidhja e rasteve që kanë problem banimin si elementin bazë të zhvillimit të familjes”, pati thënë kryetari Haziri.