60 për qind të të rinjve pa punë, kosovarët presin me muaj për një vizë

60 për qind të të rinjve pa punë, kosovarët presin me muaj për një vizë

Në Kosovë zgjedhjet janë të dielën. Por, në vend se të jenë duke ndjekur fushatat e partive politike, shumë kosovarë janë veçanërisht të zënë me diçka tjetër: të qëndrojnë para ambasadave të disa shteteve të BE-së në Prishtinë.

Është televizioni holandez “Nederlandse Omroep Stichting” (NOS), që ka përgatitur një reportazh nga Prishtina këtë javë, për çështjen e vizave.

Adil Jashari, një qytetar nga Kosova qëndron para Ambasadës së Zvicrës në kryeqytet. Në duar, ai mban një dosje me dokumente dhe pasaportën. Ai dëshiron që të shkojë në Zvicër, tek disa shokë të tij.

Tre muaj ka pritur Adili që të ketë një termin për vizë. Tani, kanë kaluar javë, ndoshta edhe muaj, që ai është duke pritur një përgjigje.

“Kjo pritje e pafund është poshtëruese. Dhe viza ende mund të na refuzohet”, deklaron Adil Jashari.

Papunësia

Kosova është njëra nga shtetet me përqindjen më të lartë të papunësisë në Evropë. Më shumë se 30 për qind janë të papunësuar, qëndrojnë në shtëpi. Në mesin e të rinjve, gjendja është edhe më dramatike: 60 për qind prej tyre nuk mund të gjejnë punë.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk mund të lëviz lirshëm në shtetet e BE-së. Kosovarët ndjehen të lodhur.

“Ndjehemi të bllokuar dhe të lënë anash. Realiteti është se të gjithë duan të dalin nga këtu. Kështu që po, Evropa është një mundësi e mirë për një jetë më të mirë”, shprehet Jashari.