60 mijë euro donacion për Spitalin e Gjilanit

60 mijë euro donacion për Spitalin e Gjilanit

Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, i cili vepron në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka përfituar një donacion në aparatura mjekësore në vlerë 67.275 franga zvicerane, apo mbi 60 mijë euro. Donacioni është realizuar nga Sabina Haziri, e cila punon dhe vepron jashtë vendit.

Në përbërje të pajisjeve janë dy laparaskopë modern te firmës “Olympus”, dy aparate për anestezion, një set komplet për punë në Ortopedi, një Ergometër – tipit biçikletë, disa aparatura për fizioterapi, disa shtretër anti-decubit, dhe një sasi e konsiderueshme e materialit për punë në sallën e kirurgjisë, gjinekologjisë dhe ortopedisë.

Po ashtu, ka arritur edhe një aparat për punë në kirurgjinë e unazave te qafës, i cili nuk do te shfrytëzohet në SR të Gjilanit dhe do të dorëzohet për QKUK.

Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, ka formuar komisionin për pranim të donacionit, dhe  profesionistët shëndetësor kanë filluar shpërndarjen e aparaturës nëpër repartet gjegjëse, krejt kjo e përcjellë dhe e monitoruar edhe nga përfaqësuesit e donacionit.