6 mijë meshkuj në Kosovë bëjnë seks me meshkuj por nuk janë homoseksual

6 mijë meshkuj në Kosovë bëjnë seks me meshkuj por nuk janë homoseksual

Një numër prej 6814 meshkujve konsiderohet se i përkasin komunitetit MSM në Kosovë. MSM janë meshkujt të cilët bëjnë seks edhe me meshkuj, pa marrë parasysh orientimin e tyre seksual.

Ky komunitet privohet nga e drejta bazike jetësore – marrja e trajtimit shëndetësor. Ata refuzohen në secilën derë të institucioneve shëndetësore, jo vetëm të përjashtuar por edhe të trajtuar me agresivitet nga shoqëria kosovare.

Në vitin 2010 vetëm 17 për qind e infeksioneve të reja me HIV në regjion kanë ndodhur në moshat 15-24 vjeç dhe mbi gjysma e këtyre infeksioneve në Serbi, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë, Hungari, Slloveni e Sllovaki janë pikërisht nga komuniteti MSM.

Sipas Hulumtimi të Mapingut Programor realizuar në Kosovë nga IKSHPK dhe CDF përmes programit të financuar nga Fondi Global, vlerëson se madhësia e popullatës MSM është 6814 meshkuj që kanë marrëdhënie me meshkuj të tjerë, në mbarë Kosovën.

Një numër i madh i tyre funksionon fshehurazi, e të tjerë kanë partnerë dhe bëjnë pagesa për këtë “transaksion”, shkruan gazeta Zëri.

Hotelet, motelet, parqet e hapura, restaurantet, kafiteritë, rrugët, ndalesat e autobusëve, janë disa prej vendeve ku ushtrohet një dukuri e tillë.

Arbri nga CSGD – Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, tregon se kjo Qendër ofron shërbime parandaluese për HIV për komunitetin MSM në Kosovë. Lubrifikantët, prezervativët, referimi, informatat tjera, dhe testimi i shpejtë janë shërbimet që ofron kjo Qendër.

“Këto shërbimet i kemi prej vitit 2005, në formën më të mirë, ndërsa i kemi pasur edhe më herët më pak të sofistikuara. Interesimi është goxha i madh, sepse ne dalim edhe në terren dhe e gjejmë këtë komunitet, komunitetin MSM, dhe i testojmë apo u japim informatat e nevojshme, momentalisht në gjashtë komunat kryesore dhe në disa të tjera më të vogla” tregon Arbri nga kjo Qendër.

Ata që rezultojnë me HIV, më pas referohen për në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Klinikën Infektive në QKUK në Prishtinë si dhe Asociacionin Kosovar të Personave që jetojnë me HIV. Testimi është anonim deri në pikën kur as vetë ata që kanë HIV nuk e dinë për njëri tjetrin, dhe vetëm 1 person në tërë Qendrën i njeh këta individë.

Kur vjen puna tek mjekët dhe se si ata e trajtojnë këtë komunitet, Arbri thotë se ka ende punë për tu bërë.

“Janë disa infeksione të cilat për t’u trajtuar në mënyrë korrekte, do të duhej t’i tregohet mjekut orientimi seksual. Pasi qe nuk dihet sesi mund të reagojë mjeku, nuk ndodhe që pacienti të tregoj orientimin e vet seksual, prandaj edhe trajtimi nuk do te jetë adekuat. Kur flasim për HIV-in shërbimet janë të mira dhe mund të them se nuk ka diskriminim. Ne punojmë me disa mjekë profesionistë me të cilët kemi konsideruar se mund të kemi bashkëpunim dhe të kemi besim në ta” tregon Arbri. /Zëri