Lidhja përtej politikës mes presidentes dhe Jason Steibaum

Lidhja përtej politikës mes presidentes dhe Jason Steibaum

Në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga i dha medaljen presidenciale të meritave Jason Steibaum për aktivizmin e tij për Pavarësinë e Kosovës, por ajo çfarë nuk është ditur është fakti se të dytë janë shkolluar në të njëjtin universitet.

Universiteti i Virginia-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkruar një artikull në të cilin shprehet krenaria e këtij universiteti për dy personalitete: presidenten e Kosovës dhe një anëtar të kongresit amerikan.

“Afro 5 mijë milje larg Charottesville (qytet në Virgina) dy të diplomuarit nga Universiteti i Virginias janë ri bashkuar për një ceremoni zyrtare në Prishtinë. Njëri, Jason Steibaum, ka marrë Medaljen Presidenciale të Meritave për aktinizmin e tij 20 vjeçar për Republikën e Kosovës. Tjetra, është presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila e dorëzoj këtë medalje”, shkruan sajti zyrtar i “University of Virginia”.

Sipas këtij shkrimi por edhe sipas biografisë së presidentes në faqen zyrtare, shkruhet se Jahjaga ka marrë  Certifikimin Postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginia-s në SHBA, në vitin 2007.

Universiteti shkruan se ky certifikim Jahjagës i ka ndihmuar që të ngjitet me shpejtësi në radhët e forcave policore të Kosovës për t’u zgjedhur më pas me 7 prill 2011, presidente e Kosovës.

“Në SHBA, Jahjaga ka bërë aleancë me Steinbaum, i cili u diplomua në Universitetin e Virginia-s në vitin 1988 në politikën e jashtme dhe tani është drejtor i stafit të demokratëve në Komitetin për Punë të Jashtme”, shkruhet në komunikatën e “University of Virginia”.

Medalja Presidenciale e Meritave është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që me punë të tyre kanë kontribuar dhe kontribuojnë për Kosovën në fusha të veçanta të jetës. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë medalje bëhet nga Presidenti i Kosovës ndërsa të drejtë propozimi kanë shumë institucione në Kosovë.

Universiteti i Vriginia-s ka marrë një prononcim nga ambasadorja e Kosovës në SHBA-, Vlora Çitaku, e cila thotë se “dekorimi i Jason me këtë medalje bëhet për rolin e tij të veçantë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së”.

Madje Çitaku e ka cilësuar Jasson si “emër shumë të njohur në Kosovë”, ndërsa në Twitter presidentja Jahjaga me 17 shkurt, kishte postuar një fotografi në të cilën shkruante se “Kosova është me fat që e ka një mik si ai”.

presi

Por për Universitetin e Virginia-s, Steinbaum është punëtor për “bosin e tij Eliot Engel që është anëtar i rangut pakicë në Komitetin për Punë të Jashtme dhe përfaqëson qarkun e New York-ut që ka popullsi të madhe shqiptare dhe kosovare”.

Steinbaum ka dhënë një deklaratë duke lavdëruar punën e presidentes Jahjaga.

“Ajo ka qenë një mrekulli për Kosovën. Është e respektuar në komunitetin ndërkombëtar dhe është një zë i mrekullueshëm për vendin”, ka thënë Steinbaum.

Se të dytë kishin qenë në një universitet, Steinbaum thotë se e kuptoi tek tash.

“Kam zbuluar lidhjen e saj me UVA-n teksa po e përgatisja biografinë e saj për takimin që kisha dhe ia kam përmendur këtë fakt edhe në takim.  Asaj i pëlqeu jashtëzakonisht dhe tha se do t’i pëlqente të kthehej përsëri”,citohet të ketë thënë Steinbaum.

Steinbaum ka thënë të ketë bërë fushatë për të ndihmuar Kosovën në njohjen ndërkombëtare, por më së shumti ka punuar që Kosova të fitojë një pako që mund të rezultojë në miliona dollarë për infrastrukturën në Kosovë. Bëhet fjalë për “Millennium Challenge Corporation” që është krijuar nga kongresi amerikan në vitin 2004 për t’i asistuar vendeve që premtojnë zhvillim ekonomik.

Steinbaum thotë se e ka pasur shumë zor ta bind korporatën që të ndihmojë Kosovën, pasi vendi nuk është anëtar i OKB-së por ia kishte dalë me një angazhim personal.