Korporatat britanike mbështesin Cameron

23.02.2016 08:34

Krerët e disa nga kompanive më të fuqishme britanike kanë firmosur letrën mbështetëse për David Cameron dhe luftën e tij për ta mbajtur vendin në Bashkimin Europian.

Korporatat britanike mbështesin Cameron

Vendimi për të marrë mbështetjen e korporatave më të fuqishme erdhi pasi kryeministri Cameron tha se me marrëveshjen e re të firmosur me Bashkimin Europian, tregu do të zgjerohet.

Ndërkaq, teksa kundërshtia e vetë konservatorëve ndaj strategjisë së kryeministrit po rritet, ata kanë propozuar idenë se nëse vendi voton për të dalë këtë herë, mund të ketë një rinegocim të radhës, pra sipas tyre, Britania mund të mbajë edhe një tjetër referendum pas atij të 23 qershorit.

David Cameron tha se ky do të jetë një vendim final për vendin, ku nuk do të ketë vend për kontestime, cilado të jetë përgjigjja e tij.

“Ky është një vendim demokratik, qëndrimi ose largimi, dhe nuk ka qeveri që mund ta injorojë atë. Dhe si kryeministër, të injorosh vullnetin e popullit tënd për të lënë Bashkimin Europian , nuk është thjesht e gabuar, por jo demokratike. Përsa i përket një referendumi të dytë, unë kam njohur çifte që kanë nisur procese divorci, por nuk kam njohur asnjë çift i cili ka filluar procedurat e divorcit në mënyrë që të rinovojë betimet e tij të martesës”, u shpreh Cameron, [përcjellë Top Chanel.

E ndërsa Boris Johnson, kryetari karizmatik i Bashkisë së Londrës, i cili ka dalë kundër Cameron për qëndrimin në Bashkimin Europian, në një opinion për gazetën britanike “Telegraph”, shkruan se ka vetëm një mënyrë ndryshimi dhe sipas tij ajo është pro “Brexit”.

Johnson, zëri konservator, thotë se vota për të qëndruar në Union do të konsiderohet nga Brukseli si “një dritë jeshile” për erozionin e mëtejshëm të demokracisë. (Top Channel)