Opsioni i opozitës – shatorë në shesh për të kundërshtuar Thaçin

Tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – janë duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së shatorëve pranë Kuvendit të Kosovës, ku aktivistët opozitar do të qëndrojnë gjatë tërë kohës për të pamundësuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president i vendit.

Opsioni i opozitës – shatorë në shesh për të kundërshtuar Thaçin

Burime të Insajderit kanë treguar se ata do të qëndrojnë aty deri më 7 mars, kur është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, ose në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përfaqësues të partive opozitare nuk kanë dashur të komentojnë shumë rreth kësaj çështje, por nuk kanë mohuar se kanë marrë vendim për vendosjen e shatorëve në sheshin Ibrahim Rugova.

“Ne si opozitë e bashkuar, në të gjitha format që mundemi për të mos lejuar mbajtjen e seancave të rregullta, qoftë brenda parlamentit qoftë jashtë”,  ka thënë Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së.

I pyetur nëse rezistenca nga jashtë nënkupton vendosjen e shatorëve, Ahmeti ka thënë se “kjo do të jetë çështje e organizimit të opozitës”.

“Ne jemi në konsultime se si do të veprojmë. Ende jemi në konsultime”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, edhe Tinka Kurti, zyrtarë për informim në Vetëvendosje, ka thënë se janë dukë u përgatitur “format e kundërshtimit qytetar.”

Por ajo ka thënë se “ende nuk kemi vendosur për këto forma.”

Që nga gushti i vitit të kaluar, partitë opozitare kanë organizuar një numër protestash në kundërshtim të dy marrëveshjeve të arritura nga ana e Qeverisë së Kosovës: marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

Përveç protestave, opozita nuk ka lejuar zhvillimin normal të punës së Kuvendit të Kosovës, ku në cdo seancë është hedhur gaz lotsjellës. /Insajderi