Sllovakia ofron mbështetje, por jo njohje

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Peter Stano, në një intervistë për Insajderin ka thënë se Sllovakia mbështet integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, derisa normalizimi i raporteve të Kosovës me Serbinë do të hapte rrugë në njohjen e pavarësisë nga ky shtet.

Sllovakia ofron mbështetje, por jo njohje

Sllovakia nuk është lëkundur nga kushti i saj për njohjen e Kosovës. Nuk do ta bëjë këtë pa u normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.

“Qëndrimi ynë nacional për njohjen e Kosovës është i bazuar në dekleratën parlamentare lidhur me statusin e së ardhmes së Kosovës e cila nënvizon – mes tjerash – nevojën e normalizimit të raporteve me Serbinë”, ka thënë Stano për insajderin.

Ai më tutje ka treguar se Sllovakia ka një qëndrim miqësor dhe konstruktiv ndaj Kosovës, duke shtuar se bashkëpunimi mes dyja vendeve është shumë më i mirë se sa raportet e Kosovës me disa shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Qëndrimi i Sllovakisë në raport me Kosovën është miqësor dhe konstruktiv. Ky qëndrim nuk është një qëndrim armiqësor, ne po punojmë dhe po bashkëpunojmë me Kosovën në shumë fusha. Këto ditë, bashkëpunimi  ynë me Kosovën është intensifikuar edhe më shumë se sa plotë shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, është shprehur zëdhënësi i MPJ-së sllovake, Peter Stano.

Ai ka përkujtuar se Sllovakia ka njohur pasaportat e Kosovës dhe e ka mbështetur atë në anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare.

“Sllovakia tashmë njeh pasaportat e Kosovës, ka mbështetur anëtarësimet e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare (duke përfshirë EBRD-në, Bankën e Investimeve Evropiane), ka mbështetur nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe po ofron bursa për studentët kosovarë në Sllovaki”, ka përkujtuar Stano, raporton Insajderi

Më tutje Stano, ka porositur Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun, duke deklaruar se kjo do t’i hapte rrugë Integrimit Evropian të Kosovës.

“Ne inkurajojmë të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun Prishtinë-Beograd. Vazhdimi i normalizimit, marrëveshje të mëtutjeshme dhe implementimi i tyre do t’i hapnin rrugë Kosovës në drejtim të Bashkimit Evropian”

Stano ka folur edhe për çështjen e votimit në UNESCO, ku Sllovakia kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Sipas tij, shkaku që shteti i tij ka votuar kundër lidhet me çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë.

Stano, ka thënë se nëse Kosova do të anëtarësohej në UNESCO, do të ndikonte keq në vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

” Sllovakia ka qenë një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Kosovës duke përfshirë edhe zhvillimin e saj ekonomik, social dhe kulturor. Ne definitivisht kemi për qëllim që të vazhdojmë mbështetjen tonë në fushat të cilat do të kontribonin në arritjen e këtyre qëllimeve. Sidoqoftë, UNESCO ka armiqësuar raportet e brishta mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka pasur rrezik potencial që të ndikojë në dialog në mënyrë negative. Ne e konsiderojmë dialogun si platformë kruciale për komunikimin mes Prishtinës dhe Beogradit dhe instrument të përshtatshëm për normalizimin e raporteve mes dy vendeve”, ka deklaruar Stano.