Glauk Konjufcës i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak

Glauk Konjufcës i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak

14.09.2016 18:25
Glauk Konjufcës i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka lenë në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, duke refuzuar si të pa bazuar  ankesa e mbrojtësit të tij.

Po ashtu, siç njofton Gjykata e Apelit, Konjufcës i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “ përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Gjykata e Apelit  vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejt kur  të pandehurit ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, me qellim të parandalimit të përsëritjes se veprës penale, dhe vazhdimit me sukses të procedurës penale”, thuhet në një komunikatë për media.

Glauk Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës gjatë një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe është arrestuar.

Partia e tij, Vetëvendosje, përmes një komunikatë për media, po ashtu ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e ndalimit edhe për gjashtë aktivistë të saj, të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Përderisa, gjashtë të arrestuarit po mbahen pa asnjë provë e asnjë argument, krejtësisht të pafajshëm, Gjykata sot, përmes gjuhës së shkeljes të së drejtës, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për t’ua hequr atyre masat e ndalimit”, thuhet në komuniaktën e VV-së.