4 vdekje brenda një jave në bregdetin shqiptar – dështimi i Qeverisë Rama për të ofruar siguri në plazhe

4 vdekje brenda një jave në bregdetin shqiptar – dështimi i Qeverisë Rama për të ofruar siguri në plazhe

Katër persona kanë ndërruar jetë në plazhet e bregdetit shqiptar gjatë kësaj jave, teksa Qeveria e Shqipërisë nuk ka arritur ende t’i shtojë masat e sigurisë përgjatë bregdetit për të parandaluar numrin e vdekjeve.

Katër vdekjet ndodhën në katër plazhe të ndryshme të bregdetit shqiptar: një në Velipojë, një në Durrës, një në Gjirin e Lalzit dhe një tjetër në Dhërmi.

Njëra prej ngjarjeve tragjike ndodhi të enjtën kur ndërroi jetë një i moshuar tek Shkëmbi i Kavajës në Durrës. Viktima ishte një person 70 vjeçar, i cili ishte futur në det për t’u larë por nuk kishte mundur të dalë më. Trupi i pajetë i tij ishte gjetur në orët e para të mëngjesit të së enjtës nga pushuesit, pasi ishte nxjerrë nga deti në breg.

Një ditë pas kësaj ngjarje tragjike, pasoj edhe një tjetër e ngjashme.

Një 59-vjeçar nga Durrësi, i cili ishte me pushime në Dhërmi, humbi jetën teksa po qëndronte në plazh. Shtetasi me inicialet D. H., teksa ishte në plazhin e jugut kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe ishte nisur për në spitalin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Ndërkaq, ditën e sotme ndodhën dy vdekje në bregdetin shqiptar, duke përmbyllur kështu një javë të mbushur me kronika të zeza.

Në Gjirin e Lalzit, në Bashkinë e Durrësit, një pushues ka humbur jetën disa minuta pasi ishte nxjerrë nga deti. Ai është nxjerrë me shenja jete nga deti dhe është nisur për në spital. Por, i riu fatkeqësisht humbi jetën në spital.

E në Velipojë një djalë 30-vjeçar u mbyt sot në plazhin e Vilunit. Ai quhej Ervin Palaj.

Palaj hyri në det për të shpëtuar të fejuarën etij, por nuk arriti të mbijetojë, edhe pse iu dha ndihma e parë, raportoi sot Mapo.al. /Insajderi.com