Ultimatum 60 ditësh për shkatërruesit e trashëgimisë kulturore

Autoritetet kanë njoftuar se janë duke lëvizur në drejtim të ndëshkimit të shkatërruesve të Qendrës Historike të Prizrenit.

Ultimatum 60 ditësh për shkatërruesit e trashëgimisë kulturore

Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit i ka dhënë ultimatum 60 ditësh shkatërruesve të trashëgimisë kulturore. Ministria e mjedisit ka njoftuar vendimi është marrë në mbledhjen e shtatë të këtij grupi punues.

“Task Forca në bashkëpunim me Sekretariatin e saj mori vendim që t’ju jepet një afat prej 60 ditësh pronarëve për sanimin e objekteve të tyre, në përputhje me standardet e përcaktuara me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Bazuar në kumtesën e kësaj ministrie llogaritet se janë 35 raste të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.

“Në këtë takim u prezantuan 35 raste të cilat shumica prej tyre, nuk i kanë respektuar kushtet e lejes ndërtimore sipas ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Nijazi Kryeziu, drejtor i urbanizmit në Prizren, ka deklaruar se në bashkëpunim me inspektoratin komunal të gjitha rastet do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe duke u respektuar Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit.