30 ditë paraburgim për dy të arrestuarit nga “Syri i Popullit”

30 ditë paraburgim për dy të arrestuarit nga “Syri i Popullit”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy anëtarëve të dyshuar të organizatës “Syri i Popullit”, Ragip Sallova dhe Sabit Berisha, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Gjykata ka kostatuar se ekziston dyshimi se me 1 mars të këtij viti, në shtëpinë e të pandehurit R.S është mbajtur mbledhje ku është planifikuar dhe është shpalosur programi i organizatës kriminale “Syri i Popullit” për organizimin në sulmet ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, aktual si dhe ndaj ish udhëheqësve të mëhershëm shtetëror.

Poashtu i pandehuri R.S në faqet sociale Facebook, ka postuar foto me të akuzuarin M.J dhe ka shumë publikime ku shkruan për tradhtarët dhe thërret që të vritet tradhtia, njofton Gjykata Themelore e Prishtinës.

Po ashtu është vërtetuar se takimet e organizatës “Syri i Popullit” janë mbajtur në shtëpinë e tij, ku përveq tjerash edhe i akuzuari M.J ka mbajtur takime, ku edhe  ka shpalosur programin e kësaj organizate.

Me këtë dëshmohet se i dyshuari R.S është pjesëtar i kësaj organizate kriminale, e cila organizatë fshihet pas Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar të Kosovës, kryetar i së cilës është vet i dyshuari R.S.

Sipas Gjykatës ekziston dyshimi se edhe i pandehuri S.B është anëtar i organizatës kriminale “Syri i Popullit”, kjo shihet nga aktiviteti dhe shoqërimi i tij me anëtarë të kësaj organizate.

“Me këto veprime dyshohet se të pandehurit R.S dhe S.B kanë kryer veprën penale Vrasja e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës nga neni 126 par.1 lidhur me nenin 34 par.1 të KPK, dhe Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par.1 dhe 2 të KPK”, njofton Gjykata. /Insajderi.com