Vetëvendosje nuk ka vija të kuqe me PDK-në për këtë komunë

Vetëvendosje nuk ka vija të kuqe me PDK-në për këtë komunë

Lëvizja Vetëvendosje duket se për herë të parë ka hequr “vijat e kuqe” ndaj Partisë Demokratike të Kosovës përmes Sami Kurteshit, kandidatit të VV-së për kryetar komune të Gjilanit.

Kurteshi pohoi se nuk i thotë jo asnjë partneri për koalicion, përfshirë këtu edhe PDK-në. As ish-kandidati i PDK-së, Zenun Pajaziti, nuk mohon mundësinë e krijimit të koalicionit me VV-në, nëse kanë ofertë.

Kandidati i Vetëvendosjes për Gjilanin, Sami Kurteshi, dje në një debat televiziv tha se nuk ka vija të kuqe me PDK-në, por kjo vlen vetëm për komunën ku ai garon.

“Për herë të parë do të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse që pranon dhe pajtohet me programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje. Për herë të parë ne do të bëjmë përpjekje që të marrim edhe pjesë nga programet e tjera në të mirë të Gjilanit”, ka thënë Kurteshi.

Në anën tjetër kandidati i PDK-së për kryetar komune Zenun Pajaziti, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit mori mbi tetë mijë vota thotë se i vjen mirë për qëndrimin e Kurteshit.

“Më vjen mirë  për një qëndrim të tillë të zotit Kurteshi. Ne e ndajmë me të një të kaluar me plotë angazhime të përbashkëta për vendin”, ka thënë Pajaziti.

Në përgjigjën e tij dhënë Gazetës Express, Pajaziti ka lënë të kuptohet se PDK-ja mirëpret ofertën nga Vetëvendosje.

“Ne nuk kemi marrë deri me tash ndonjë qëndrim partiak. Nëse ndërkohë do te kemi ndonjë ofertë për të kontribuar me platformen tonë për zhvillimin e Gjilanit që ne e shpalosëm në fushatën zgjedhore, ne  do ta shqyrtojmë seriozisht”, ka thënë më tutje ish-kandidati i PDK-së në Gjilan.