Reagon Sabit Pacolli pasi gazeta suedeze hedh ndaj tij dyshime për mashtrim

05.11.2017 14:11
Reagon Sabit Pacolli pasi gazeta suedeze hedh ndaj tij dyshime për mashtrim

Biznesmeni Sabit Pacolli ka reaguar pas shkrimit të gjatë hulumtues në një gazetë suedeze, e cila shkruan për mashtrimin milionësh të kosovarit me renovimet e banesave të vjetra.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se nuk ka keqpërdorur asnjë euro derisa ka thënë se shpejt e vërteta do të dalë.

“Është artikull i rremë”, ka thënë Pacolli, në një reagim me video në FB.

“Kurrë në jetën time nuk kam bërë veprime kriminale as nuk kam mashtruar dikënd. Ata që me njohin mua kush unë jam. Është lajm i rrejshëm. Shumë shpejt ka me ardh e vërteta për këtë rast”, ka thënë ai.

Sipas gazetës suedeze, Pacolli si Kryetar i Shoqatës kishte marrë hua për të bërë renovime të banesave, ndërtime këto të panevojshme dhe të kryera pa kualitet.

Gazeta suedeze më tej thotë se Pacolli në këtë mënyrë ka futur në borxhe shumë banorë suedezë, të cilët nuk kanë qenë në dijeni se Shoqata, përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesave, ka marrë hua për të bërë renovime të panevojshme, shkruan Gazeta Express.

Mirëpo, Sabit Pacolli i ka mohuar të gjitha këto, duke thënë se e vërteta do të dalë shumë shpejtë.

“Këto ditë në mediume të ndryshme po qarkullon një lajm i rremë se unë kam keqpërdorur fondin e shoqatës e të cilës jam Kryetar. Sabit Pacolli në regjistrin e krimit të Suedisë është i pastër si loti. Unë e njoh vetën time, karakterin tim, dhe rolin të cilën e kam pasur. Unë asnjëherë as edhe 10 euro të buxhetit nuk kam keqpërdorur kurrë, sepse ashtu kam qenë i edukuar. E vërteta së shpejti do të del në shesh, dhe avokati im është duke përgatitur padi për secilin njeri që ka shpifur për mua”, ka reaguar Pacolli, në FB.

“Sabit Pacolli asnjëherë në jetë nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin. As në Suedi por as në vendlindjen time. I falënderoj të gjithë ata qytetarë dhe miq të cilët me kanë mbështetur, dhe me mbështesin në këto momentet të renda për mua dhe familjen time”, ka shtuar ai.