17 shkurti – me muzikë elektronike në Kosovë dhe tallava në diasporë

17 shkurti – me muzikë elektronike në Kosovë dhe tallava në diasporë

Përderisa autoritetet shtetërore ende nuk kanë dalë me një agjendë të festimeve të 17 shkurtit, Pavarësisë së Kosovës, “agjendën” e festimeve e kanë bërë moti publike klubet e natës.

Madje klubet e natës kanë shfrytëzuar edhe sponsorizimet në rrjete sociale për të bërë publike ndejat e Pavarësisë.

Disa kanë organizuar ta presin një ditë më parë, me datën 16 shkurt, si në ZoneClub dhe Rilindja Warehouse, duke thirrur DJ të njohur të muzikës elektronike në Kosovë, ndërsa klube të tjera kanë organizuar edhe ndeja me muzikë hop-hop.

Të tjerë si Hamam bar, Designers bar, Duplex, eventet i kanë me datën 17. E këtë vit grupi Minatori ka bërë një rikthim, ku do të performojë në njërën nga këto evente.

Festë do të ketë edhe në diasporë. Veçse atje do të festohet me muzikë krejt ndryshe.

Shumica e këngëtarëve të estradës shqiptare do të jenë në qytete evropiane për të argëtuar shqiptarët atje.

9vjetor

Kryesisht në diskotekat e mbushura nga shqiptarët, do këndojnë këngëtarë të muzikës turbo-folk apo siç njihet në zhargonin kosovar “muzikë tallava”. Nuk mungojnë as reperët që këndojnë për nacionalizmin.

Por zhanri i muzikës nuk dallon festimet në diasporë dhe Kosovë.

Në ndejat e organizuara kryesisht në Prishtinë përdoret gjuha angleze në posterët dhe titujt e ngjarjeve: “Independence Day”. Ndërsa në organizimet nga diaspora festohet “Nata e Pavarësisë”.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës, edhe pse një javë më herët, është festuar edhe në Itali. Manifestimi kishte filluar me himnin e Kosovës dhe himnin kombëtar të kënduar nga gjithë salla, dhe kishte vazhduar me këngë e valle popullore.

E vetmja gjë e dijshme deri tani për organizimin në Prishtinë, është që monumenti “NEWBORN” këtë vit do të ngjyroset si mur dhe ti rrëzohet shkronja N dhe Ë për të bërë të mundur kompletimin e instalacionit “No Walls”. E kjo ide është bërë të përçojë një mesazh të fortë, pra atë të mos ndërtimit të mureve./Insajderi.com