160 milionë euro në arkat e Monakos për dy yjet që po mahnitin Europën

160 milionë euro në arkat e Monakos për dy yjet që po mahnitin Europën

Bernardo Silva dhe Kilian Mbappe janë dy nga yjet më të shndritshëm të Monakos i cili këtë vit po jep spektakël si në Francë, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve pasi është kthyer në një makineri të mirëfilltë golash.

Për dy yjet e skuadrës së drejtuar nga Leonardo Jardim, sigurisht që nuk mungojnë ofertat dhe ekipi i Principatës pritet të mbushë arkat në verë me shitjen e tyre.

Bajern Mynih ka hedhur sytë nga Bernardo Silva, pasi Karlo Ancelottit i pëlqen shumë mesfushori 22-vjeçar portugez dhe kërkon ta bashkojë me Renato Sanchezin.

Monako bleu lojtarin për 15,75 milionë euro në janarin e vitit 2015 nga Benfika dhe tani është gati ta shesë atë për 80 milionë euro, pasi kjo është shuma që u ka kërkuar bavarezëve, shkruan Panorama-sport.

Ndërkaq, Mbappe ka tërhequr vëmendjen e pjesës më të madhe të klubeve të njohura europiane. Por i pari në listë mbetet një klub brenda Francës, PSG, i cili ka bërë gati ofertën e parë.

Edhe në këtë rast, Monako pritet të përfitojë 80 milionë euro, shifër të cilën ia kanë ofruar parisienët për 18 vjeçarin e talentuar që është rritur në akademinë e klubit të Principatës.

Me 160 milionë euro nga shitja e vetëm dy futbollistëve, Monako do të ketë mundësinë në verë që të përforcohet përsëri me elementë cilësorë. /Insajderi.com