15 minutat e mbetur të ndeshjes Shqipëri-Maqedoni luhen sot

15 minutat e mbetur të ndeshjes Shqipëri-Maqedoni luhen sot

Ndeshja e ndërprerë mbrëmë, për shkak të stuhisë së paparë që përshkoi qytetin e Shkodrës, do t’i luajë minutat e mbetura sot, në orën 14:00.

Kështu ka vendosur FIFA, në bashkëpunim me dy federatat respektive.

Lajm i keq për kuqezinjtë është se mund t’i luajnë 15 minutat e mbetura me dhjetë lojtarë, për shkak se Berat Gjimshiti ka pësuar një dëmtim, i cili mund ta kushtëzojë të jetë në fushë sot.

Po të kemi parasysh se De Biazi i kishte bërë tri zëvendësimet, atëherë i bie që të vijojë me një forcë më pak, me barazimin 1-1 në fuqi, që u fiksua nga dy gola, në secilën pjesë loje.

Fillimisht e kaloi Shqipërinë në epërsi Sadiku (9’), ndërsa në pjesën e dytë, pas një gabimi të tanëve, barazoi Aliovski (51’). Ndeshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në “Loro Borici”, e vlefshme për Grupin G kualifikues të “Rusia 2018”, u ndërpre në minutën e 75-të, për shkak të motit të stuhishëm.

Ndërkohë, mësohet se hyrja e tifozëve në stadium do të jetë e lirë, për të gjithë, si për ata që kanë qenë të pajisur me biletë, edhe për të tjerët, që dëshirojnë të vijnë e t’i mbështesin kuqezinjtë, me shpresën e shënimit të një goli tjetër dhe të fitimit të kësaj sfide. /Telesport.al