15 ditë burgim liderit të opozitës ruse për mosbindje

27.03.2017 16:20
15 ditë burgim liderit të opozitës ruse për mosbindje

Rusia nuk i ka dëgjuar aspak thirrjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirimin sa më të shpejtë të protestuesve opozitarë, të cilët u arrestuan për rezistencë ndaj urdhrave të policisë në protestat masive të së dielës, madje ka shkuar më larg duke burgosur për 15 ditë kreun e opozitës, Alexei Navalny.

Navalny ishte njëri mes qindra personave që u ndaluan anembanë vendit për shkak të mitingjeve të organizuara.

Gjykata në Moskë e kishte gjobitur më herët krye opozitarin me 20 mijë rubla, apo 350 dollarë, se kishte organizuar protestat e ndaluara me ligj. Të hënën, Kremlini akuzoi opozitën se po inkurajonte shkelësit e ligjit dhe po provokonte dhunë. Ndërsa një zëdhënës presidencial tha se disa të rinj ishin paguar që të merrnin pjesë në protesta.

Navalny ripërsëriti akuzat për korrupsion ndaj kryeministrit Dmitry Medvedev, të cilat ishin edhe shkaku kryesor i mbajtjes së protestave të së dielës, ku morën pjesë mijëra demonstrues nga mbarë vendi, përfshi këtu Shën Pjetërburgun, Vladivostokun, Novosibirskun, Tomskun dhe disa qytete të tjera, sikurse edhe në Moskë.

Navalny u shfaq në gjykatë pasi i ishin vënë prangat të dielën dhe kishte kaluar natën në qeli. Edhe pse ai i shpëtoi një dënimi me burg për akuzën e parë, atij iu dhanë 15 ditë heqje lirie për mosbindje ndaj një oficeri policie. Avokatja e tij, Olga Mikhailova tha për “Reuters” se e kishte pritur një vendim të tillë, por do ta apelojë atë.

Përpara shfaqjes së tij të hënën në gjykatë, 40-vjeçari Navalny shkroi në “Twitter” se “koha do të vijë kur të gjithë pushtetarët e sotëm do të përgjigjen para drejtësisë”. Ai tha se duhej të ishte Medvedevi, ai që duhej të merrej në pyetje si kryeorganizatori i protestave, sepse “aktivitetet e tij korruptive nxitën njerëzit të dilnin rrugëve të 99 qyteteve ruse”.