14 dallaveret e Komunës së Skenderajt me tenderët milionësh

14 dallaveret e Komunës së Skenderajt me tenderët milionësh

Auditorët kanë pasur goxha punë gjatë procesit të auditimit të tenderëve në Komunën e Skenderajt, kryetari i së cilës ka vite që gjendet në burg.

Ata kanë evidentuar një seri shkeljesh ligjore në Komunën e Skenderajt. Janë gjithsejtë 14 raste të specifikuara të tenderimit në këtë komunë, që nuk janë kryer sipas ligjit.

Dallaveret janë të laramanive të ndryshme. Prej atyre kur kompanitë kanë fituar tender dhe kanë dërguar në Komunë fatura pa numër fiskal e deri tek pagesat që komuna ka bërë përtej detyrimeve që ka ndaj kompanive të ndryshme që kanë fituar tender.

Sipas auditorëve, shuma e kontratave të nënshkruara përmes procedurave të prokurimit për periudhën e përfunduar më 31 dhjetor 2015 është 6 milionë e 483 mijë euro. Kjo shumë përfshin Investime Kapitale dhe Mallra dhe Shërbime.

Ata kanë identifikuar raste kur prokurimet e kryera gjatë vitit nuk janë të harmonizuara me planin e prokurimit.  Sipas kjo praktikë mund të çojnë në dështimin e kryerjes së pagesave ose kryerjen e pagesave të parregullta, vonesa në ofrimin e shërbimeve, si dhe kontratat mund të mos implementohen sipas standardeve të kërkuara.

Auditorët kanë rekomanduar kryetarin e Komunës, Sami Lushtaku që gjendet në burg, që të identifikoj shkaqet rrënjësore të mangësive dhe të ndërmarrë masat e duhura për të siguruar se kërkesat e ligjit te prokurimit janë zbatuar plotësisht.

Insajderi ua sjellë të gjitha 14 shkeljet në procedura e tenderimit në Komunën e Skenderajt sipas Raportit të Auditorit. 

Në trembëdhjetë dosje të prokurimit, Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve nuk është plotësuar në mënyrë të duhur. Kompletimi i DNPDF kërkohet me nenin 9 të Ligjit mbi Prokurimin Publik Nr. 04/L-042.

Në dhjetë raste të prokurimit në vlerë të përgjithshme prej 2,333 mijë euro kemi vërejtur se zotimet e mjeteve kanë qenë më pak se shuma e kontratave të nënshkruara dhe janë bërë pas nënshkrimit të kontratës.Kjo nuk është në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik 04 / L – 042 dhe Rregulloren Financiare Nr. 01/2013 “Ministria e Financave – Shpenzimi i Parasë Publike”.

Në pesë raste të procedurave të prokurimit në vlerë të përgjithshme prej 2,240 mijë euro polisa e sigurimit të ekzekutimit të tenderit nuk mbulon të gjithë periudhën e kontratës.

Në një rast të prokurimit në vlerë 465 mijë euro ne kemi vërejtur se, nuk ka zotim të mjeteve.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 389 mijë euro ne kemi vërejtur se faturat e lëshuara nga Operatori Ekonomik në vlerë të përgjithshme prej 50 mijë janë pa numër fiskal dhe pa adresë të plotë të shitësit, kjo nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr.15/2010.

Komuna ka nënshkruar një memorandum me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë të cilin Ministria zotohet të bëjë financim prej 600 mijë euro. Edhe pse kontrata është nënshkruar në vlerë më të vogël sesa shuma e mësipërme, Komuna i ka paguar operatorit ekonomik shumën prej 20,000 euro e cila sipas memorandumit duhet të ishte paguar nga Ministria.

Në dy raste të prokurimit, në vlerën e përgjithshme të kontratave të nënshkruara prej 18 mijë euro, ne kemi vërejtur se nuk është respektuar neni 36 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurim Publik 04 / L – 042 i cili thotë se: ” data në të cilën kuotimet e çmimeve duhet të pranohen, duhet të jetë jo më pak se pesë (5) ditë nga data e dërgimit të kërkesës për kuotimin e çmimeve “.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 40 mijë euro, ne kemi vërejtur se nuk është respektuar neni 9 paragrafi 6 i Ligjit për Prokurim Publik 04 / L – 042 i cili thotë se:“nëse objektet e aktivitetit të prokurimit nuk janë përfshirë në planifikimin përfundimtar të autoritetit kontraktues i cili është dorëzuar në AQP sipas paragrafit 2 të nenit 8 të ligjit mbi prokurimin publik, ZKA do të dërgojë në AQP një kopje të Deklaratës përkatëse të Nevojave dhe Vendosshmërisë për Disponueshmërinë e Fondeve së paku pesë (5) ditë para se Zyrtari Autorizues të autorizojë Zyrtarin e Prokurimit për inicimin e aktivitetit përkatës të prokurimit”.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 20 mijë euro, ne kemi identifikuar se sigurimi i ekzekutimit të tenderit nuk është në vlerën 10% të kontratës së nënshkruar siç specifikohet në nenin 63, paragrafi 2 të Ligjit për Prokurimin Publik 04 / L-42.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 505 mijë euro, ne kemi identifikuar se marrëveshja nuk ka datë të nënshkrimit dhe data e skadimit nuk është e cekur.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 45 mijë euro ne kemi vërejtur që në DNPDF , neni 3 “Rishikimi” nuk është nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar, kjo nuk është në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik 04 / L – 042.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 45 mijë euro ne kemi vërejtur një mospërputhje në mes të faturës, fletdërgesës dhe raportit mbi pranimin e mallit për faturën në shumë prej 4 mijë euro. Përveç kësaj, në faturën në vlerë prej 8 mijë euro mungonte fletëdërgesa.

Në dy raste të procedurave të prokurimit që përbëjnë vlerën totale prej 16 mijë euro ne kemi vërejtur se mungonte garantimi i punës siç ishte e cekur në kontrata.

Në një rast të prokurimit në vlerë prej 10 mijë euro, kemi vërejtur se operatori ekonomik ka faturuar disa produkte dhe shërbime të cilat nuk janë në listën e ofertës së dosjes së tenderit./Insajderi.com