13 pacientë në pritje për transplantim veshkash, fati i tyre në duart e donatorëve

13 pacientë në pritje për transplantim veshkash, fati i tyre në duart e donatorëve

Trevjeçari nga Podujeva Besim Kurtolli, në shtator të vitit të kaluar u nis për shërim në Gjermani për ta bërë transplantimin e veshkave. Për këtë familja kishte arritur të mblidhte një shumë prej 250 mijë euro. Por, sipas familjarëve, gjendja e 3-vjecarit aktualisht nuk është e mirë, për shkak të imunitetit të dobët.

Fatin e Besimit e kanë edhe 13 pacientë që po presin në QKUK për t’u transferuar për transplantime dhe për mbështetje financiare. Në Kosovë nuk kryhet transplantimi i veshkave, për shkak të mungesës së ligjit, shkruan Gazeta Express.

Gjendja e Besim Kurtollit edhe pas një viti nuk është e mirë. Ai është duke iu nënshtruar terapive të dializës. Imuniteti i dobët ia ka pamundësuar trevjeçarit futjen në  operim për ta bërë transplantimin e veshkës.

Kështu deklaroi axha i Besimit të vogël nga Podujeva, Arsim Kurtolli.

“Nuk e ka gjendjen e mirë. Është duke marrë dializë. Operacioni nuk ka mundur që të arrihet sepse gjendja e tij ka qenë kritike kur ka dalë në Gjermani. Ne jemi në bisedime me spitalin”, deklaroi axha i Besimit, Arsim Kurtolli.

Në pritje për transplantim të veshkave, si rasti i Besimit, janë edhe 13 pacientë të tillë, të cilët kanë bërë kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë për mbështetje financiare. Fati i këtyre rasteve është edhe në duart e donatorëve të cilët eventualisht do të shprehin vullnetin për dhurim të organeve për këta pacientë.

Në mungesë të Ligjit për transplantim të organeve, dhjetëra qytetarë kosovarë detyrohen që  të trokasin në dyert e spitaleve të ndryshme në botë për t’iu nënshtruar operacioneve të tilla.

Në vitin 2013, është përgatitur Ligji, i cili më pas është dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por, Misioni i BE’së për sundimin e Ligjit – EULEX, kishte kërkuar që ligji të tërhiqet nga procedura.

“Transplantimet nuk kryhen në Kosovë për shkak se ende nuk ka ligj të miratuar për transplantim të organeve, ndërkohë që ka ligj për transplantim të indeve dhe qelizave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij institucioni, që nga janari e deri në shtator të këtij viti janë kryer katër transplantime jashtë. Shumica e operimeve të tilla, ndërkaq, kryhen në shtetin fqinj, Shqipëri.

“Shumica e transplantimeve apo rreth 80 për qind kryhen në Shqipëri, ndërsa rreth 20 për qind në Turqi. Por, ka raste më të rralla edhe në shtete të tjera”.

Në QKUK 104 pacientë me veshkë të transplantuara marrin terapi

Në Klinikën e Nefrologjisë në QKUK mbi 223 pacientë për momentin janë duke iu nënshtruar hemodializës, ndërkohë që për gjithë vitin e kaluar në këtë klinikë janë trajtuar 566 të hospitalizuar. Këto të dhëna i ka dhënë për Express, ushtruesja e detyrës së drejtorit në këtë klinikë, Venera Hasangjekaj.

Sipas saj, për trajtim me transplantim të veshkave në klinikën e Nefrologjisë janë të regjistruar 104 pacientë. Ata trajtimin e marrin në Qendrën Klinike Universitare, derisa transplantimet i kryejnë jashtë Kosovës, në mungesë të ligjit për transplantime.

“Sa i përket kosovarëve të transplantuar mund të përgjigjem vetëm sa i përket të transplantuarve të cilët janë të regjistruar në klinikën tonë, ngase ka edhe të transplantuar që janë në Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë . Në Kliniken tonë janë të regjistruar 104 të transplantuar, të cilët këtu furnizohen me terapi imunosupresive te ordinuar nga qendrat referente ku janë transplantuar”, ka shpjeguar Hasangjekaj.

Në mungesë të ligjit për transplantim të organeve, kosovarët edhe për një kohë do të duhet që ilaçin për këtë sëmundje ta gjejnë në njërin nga shtetet fqinje.