Kushtet për liberalizim e sjellin komisionerin Avramapolous në Kosovë

Kushtet për liberalizim e sjellin komisionerin Avramapolous në Kosovë

Me disa vërejtje jo shumë serioze, shenjat e para se Kosova ka plotësuar edhe tetë rekomandimet për liberalizimin e vizave janë pozitive. Përveç ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, janë edhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë pohuar një gjë të tillë.

Përveç prokurimit, që ka çaluar si proces, në pikat tjera Kosova ka shënuar progres dhe lajmin për liberalizimin e vizave, pritet ta sjellë në Prishtinë ka mesi i muajit të ardhshëm, komisionari i BE-së për migrim, Dimitris Avramapolous.

Avramapolous pati paralajmëruar vizitë në Kosovë gjatë muajit shkurt, por pasi që procesi i përmbushjes së kritereve nuk ishte “kurrkund” ai vizitën e shtyu për prill.

Megjithatë, sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, puna për vizat nuk përfundon me përmbushjen e tetë kritereve të fundit. Kosova duhet që urgjentisht të orientojë të gjithë kapacitetin e saj politik në lobim te shtetet e Bashkimit Evropian për shkak se është Këshilli i BE-së, si organi kryesor që duhet ta miratojë raportin për liberalizimin e vizave, bashkërisht me Komisionin Evropian.

E në këto dy institucione janë përfaqësuesit e pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, analistët politikë kanë përsëritur faktin se tensionet politike në vend, nuk po i bëjnë nder këtij procesi.

Gazeta “Zëri”, raporton se njeriu kryesor të cilin Kosova po e pret me padurim, komisionari i BE-së për migrim, Dimitris Avramapolous, pritet që të vijë në mesin e muajit prill në Prishtinë.

Avramopolous ditë më parë në vizitën e tij në Tiranë, ndërkohë pati një mesazh edhe për Prishtinën./Zëri