Thaçi flet për një “marrëveshje të fshehur” me aleatët për formimin e ushtrisë

15.03.2017 22:36
Thaçi flet për një “marrëveshje të fshehur” me aleatët për formimin e ushtrisë
Burimi i fotografisë: Atdhe Mulla/KS2.0 - 15.03.2017

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka minimizuar kundërshtimet ndaj iniciativës së tij për ta bërë vendin me Ushtri.

“Nuk i përgjigjem askujt, as nuk i reagoj askujt”, ka thënë ai, duke iu referuar shqetësimeve të ngritura nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie dhënë Insajderit.

Thaçi ka thënë në emisionin “Click” në RTV 21 se disa gjëra nuk mund të bëhen publike pasi që institucionet e rëndësishme ndërkombëtare i kanë dhënë atij mbështetjen për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.

Por në intervistën dhënë Insajderit, ambasadori amerikan ka demantuar deklaratat e fundit të liderëve të Kosovës, Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët kanë thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës është duke ndodhur në koordinim të plotë me partnerët.

“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, ka thënë ai.

“Ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli”.

E Thaçi në “Click” tha se është vendim i institucioneve të Kosovës që të vendosin vet për fatin e vet.

“Dëshiroj të sqaroj që ky proces do të përmbyllet suksesshëm, në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se raportet e vendit me aleatët e saj nuk do të lëkunden, derisa është shprehur i bindur se Ushtria e Kosovës do të formohet. Insajderi.com