Me kërkesë të fansave: Selmanaj nderon me emrin e heroit, reperin e dënuar për fyerje

01.03.2017 17:40
Me kërkesë të fansave: Selmanaj nderon me emrin e heroit, reperin e dënuar për fyerje

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka vendosur që t’i ndajë një mirënjohje që mbanë emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, reperit i cili është dënuar nga Gjykata për fyerje të ish-deputetes e cila tash është Ambasadore e Kosovës në Itali.

Reperi nga Presheva, Arian Agushi i njohur me emrin skenik “Gold AG” kënga e të cilit “Shqiptar 2” është hequr nga “youtube” dhe publikime të tjera për shkak të fyerjeve që përmban teksti i asaj kënge, por Selmanaj ka vendosur që pikërisht për “tekstet e këngëve të tija” t’ia ndajë “mirënjohjen e heroit kombëtar Shkëlzen Haradinaj”.

I pyetur nga Insajderi, nëse Selmanaj e ka pasur parasysh faktin se reperi ka qenë i dënuar për fyerje bash për tekstet në këngët e tija, ai tha se kjo nuk është relevante kur vjen puna tek ndarja e kësaj mirënjohje.

“Ia kemi ndarë mirënjohjen, me motivacionin për këngët e tija patriotike”, ka thënë Selmanaj për Insajderit.

Kur u pyet se kush e ka inciuar ndarjen e kësaj mirënjohje për reperin, Selmanaj nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Ishte një propozim që ka rrjedhë nga fansat e tij, dhe e kemi nderuar”, ka thënë Selmanaj.

I pari i Deçanit nuk ka dashur të komentojë faktin nëse nderimi i një të dënuari për fyerje përbën fyerje për vet emrin dhe figurën e heroit Shkëlzen Haradinaj.

gold1

“Nuk është fyerje. Nderimi ju ka bo si këngëtarë për kontributin e tij në këngët patriotike”, ka thënë Selmanaj.

Ka shumë këngëtarë të llojit të reperit nga Presheva që kanë thurur lavde në këngët e tyre për heronj të “gjallë” dhe të “vdekur” në Dukagjin. Një nga to është edhe Linda Morina që ka këngë edhe për Ramush Haradinajn.

Selmanaj qeshi dhe nuk pranoi ta quante këngëtare Linda Morinën, e cila së paku nuk është dënuar për fyerje ndaj askujt.

“Nuk dua të komentojë atë çështje. Për këtë mirënjohje kemi pasur parasysh vetëm një motiv, angazhimin e tij si këngëtar që ka kënduar shumë këngë për heronj kombëtar sidomos për ata të rajonit të Dukagjinit” ka thënë Selmanaj.

Selmanaj tha se një arsye shtesë pse Gold AG ka marrë këtë mirënjohje është edhe fakti se ai ka mbështetur fushatën “Me Ramushin” në kohën kur ai është arrestuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Ramush Haradinaj, vëllai i heroit Shkëlzen Haradinaj, në emër të së cilit është ndarë mirënjohja për Gold AG, gjendet ende i ndaluar në Francë, duke pritur një vendim të gjykatës franceze mbi kërkesën e Serbisë për ta ekstraduar ish-kryeministrin. /Insajderi.com