10 këshilla për të bërë foto më të mira nga celulari

Shumica e celularëve tanë kanë në trup një kamerë, të cilën ne po e përdorim gjithnjë e më shumë. Ndërsa fiksojmë çastet e veçanta të jetës, ja se cilat janë disa këshilla si të jeni më “profesionalë”

10 këshilla për të bërë foto më të mira nga celulari

Aplikacionet aktuale në treg e kanë bërë shumë të lehtë fotografimin dhe dhënien e një pamjeje artistike edhe fotove më të thjeshta. Këto janë dhjetë këshillat elementare për të kapur sa më bukur çastet që doni t’ju mbeten në mendje.

  1. Përdorni një aplikacion kamere

Në vend që të përdorni kamerën standarde të celularit tuaj mund të provoni të shkrepni foto me një aplikacion kamere si vsco cam ose camera +. Avantazhet e përdorimit të këtyre kamerave vijnë së bashku me karakteristikat e tyre të veçanta për nga nxitja e parametrave dhe kapja e më tepër detajeve nga kamera normale.

Eksperimentoni me aplikacione të ndryshme dhe zgjidhni atë që mendoni se ju përshtatet më së miri.

  1. Sigurohuni të keni hapësirë

Çasti më i keq për çdo përdorues të celularit është të gjendet përballë një pamjeje që do ta fotografojë dhe zgjedhjes për të ruajtur fotografitë e vjetra. Me rritjen e parametrave të fotografive (të cilat shkojnë në disa MB) hapësira në celularin e secilit prej nesh sa vjen dhe zvogëlohet. Për këtë qëllim, sigurohuni gjithnjë që të keni hapësirë në memorien e pajisjes suaj elektronike.

Ju mund të zgjidhni t’i shkarkoni fotot nga celulari në kompjuter përmes lidhjes me fishë ose mund të bëni sinkronizimin me email-in, duke i ngarkuar ato automatikisht në depozitën online Cloud.

  1. Provoni kënde të reja

Ndonëse jo të gjithë jemi fotografë të lindur, disa teknika mund t’ju ndihmojnë shumë të përmirësoni fotografitë tuaja. Një prej tyre është ndryshimi i këndeve. Zakonisht ne fotografojmë nga lartësia e duarve, por është më mirë nëse provoni edhe kënd më të ulët me nivelin e syrit, sepse kështu ju shpaloset një perspektivë tjetër e realitetit, njofton Gazeta-shqip.

  1. Fikni fleshi 

    fikn

    Fotografitë janë më të bukura me dritën natyrale. Gjithnjë e më shumë prodhuesit e smartfonëve po përqendrohen te kamerat dhe kjo i bën ato të favorshme për shumicën e llojeve të fotografive. Ndonëse në nivel amator për nga përdorimi, ju mund të bëni foto shumë të mira në dritën e diellit apo edhe gjatë natës, pa pasur nevojën që të përdorni fleshin.

    Ajo për të cilën ka nevojë fotografia juaj nga celulari është drita e mjaftueshme dhe këtë gjë ju mund ta merrni duke zgjedhur një vend me më shumë dritë pa e djegur foton. Një tjetër teknikë është edhe mbajtja e një pozicioni të qëndrueshëm.

    1. Pastroni lenten

    Ndonëse mund të mos ju shkojë në mendje, pastrimi i lentes së kamerës së celularit bën një diferencë shumë të madhe në cilësinë e fotove tuaja. Nëse më parë fotot ishin më të bukura dhe tani papritur ato kanë filluar t’ju duken disi të turbullta, kjo ndodh sepse papastërti kanë depërtuar në kamerën tuaj. Përdorni një leckë të posaçme për të pastruar kamerën e celularit dhe diferencën do ta vini re menjëherë.

    1. Shkrepni pa frikë

    Sa më shumë foto të shkrepni, aq më të larta janë gjasat tuaja për të kapur foton ideale. Mos kini frikë të bëni shumë foto, për sa kohë do t’i sinkronizoni ato me kompjuterin, do ta keni të lehtë t’i fshini dhe të shkrepni të reja.

    Kjo teknikë gjithashtu funksionon për t’ju treguar se ka disa gjëra që do t’i kuptoni duke praktikuar vazhdimisht fotografinë. Në këtë mënyrë, celulari juaj do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë lloj fotosh ju pëlqen të shkrepni më tepër.

    1. Regjistroni çastet më të veçanta

    Fotografia e celularit është bërë gjithnjë e më e përhapur dhe njerëzit po aftësohen përherë e më tepër me të. Një element i veçantë i kësaj fotografie është mobiliteti. Ju e merrni celularin tuaj me vete kudo, në disa raste edhe aty ku aparatet profesionalë nuk mund të hyjnë.

    Në këtë pikë, fotografia nga celulari bëhet akoma më e veçantë, sepse pasqyron momente që për neve kanë qenë tepër speciale. Duke lidhur kujtimet në mendjen tonë me imazhin, gjërat bëhen edhe më të lehta dhe më të bukura,shkruan Gazeta-shqip.

    1. Përfshihuni

    Galeria e celularit tuaj mund të përmbajë shumë foto, por nëse ju vetë nuk jeni në një pjesë të mirë të tyre, atëherë ato nuk do të kenë ndjesinë e një lidhjeje të fortë me ju. Mos ngurroni të përdorni aksesorët ndihmës si shkopi i selfieve apo koha e programuar e shkrepjes nga celulari për të pasur kujtime të bukura.

    1. Provoni aplikacion të rregullimit

    Jo të gjitha fotot janë ideale, por ju mund t’i bëni ato shumë të pranueshme për të tjerët nëse përdorni një aplikacion të posaçëm për rregullimin e tyre. Provoni prerjen, nivelet e ekspozimit dhe kontrastit, si dhe filtrat për të bërë foto që tërheqin syrin e miqve tuaj më të cilët i ndani.

    1. Mësoni nga të tjerët

    Nuk ka asgjë të keqe “të kopjoni” disa metoda të fotografimit që i keni parë nga miqtë tuaj ose nga persona që arrijnë ta përdorin mjaft mirë kamerën e celularit. Në fund të fundit rëndësi ka vetëm që ju të ndiheni mirë me fotot që shkrepni dhe jo ta mendoni këtë si formë arti që mund të jetë ‘monopol’ i dikujt.