10 fanellat më të çuditshme të historisë së Serisë A

28.07.2016 09:51
10 fanellat më të çuditshme të historisë së Serisë A

Fanella e skuadrës së zemrës është e vetmja gjë ndaj së cilës një tifoz është vërtetë i lidhur.

Ngjyrat dhe stili i ekipit nuk duhet të preken kurrë, por, fatkeqësisht, nuk është gjithmonë kështu dhe para fillimit të çdo sezoni ka ndryshime të shpeshta. Me sa duket, një gjë e tillë ndodhte edhe para 30 vitesh, kur shumë skuadra ofronin një “look” shumë të veçantë.

Më poshtë mund të shikoni edhe renditjen e fanellave më të çuditshme që janë parë ndonjëherë në fushat e Serisë A, dhe janë marrë në konsideratë vetëm fanellat e uniformave të para, sepse po të analizoheshin edhe ato të dytat lista do të ishte shumë, shumë e gjatë.

10 Milan 1984/85 – Fanella e Paolo Rossi-t, Hateley dhe Wilkins ka qenë një kuqezi e ndezur me shirita shumë të hollë dhe me fiksimin për të pasur disa viza horizontale te mëngët. Një uniformë që dukej se ishte marrë direkt nga filmi vizatimor Holly dhe Benji.
fanella 1

9 Juve 1996/97 – Uniforma e re e sezonit që ka ardhur pas triumfit në Champions League ka qenë një tronditje për të gjithë tifozët e vërtetë të Juventus, sepse ka përmbysur plotësisht stilin tradicional të uniformës bardhezi.

Kryesisht janë kthyer, pas disa dhjetëvjeçarësh, pantallonat e shkurtra dhe çorapet me ngjyrë të zezë, por ajo që ka befasuar më shumë ka qenë madhësia e shiritave: shumë të mëdhenj! Dhe në pjesën e kurrizit merrnin formën e një wc-je.
fanella 2
8 Inter 2014/15 – E gjitha e zezë me disa shirita shumë të hollë të kaltër. Nike ka skandalizuar tifozët dy sezone më parë me këtë fanellë që nuk kishte asnjë lidhje me traditën e klubit, megjithatë sipas shitësve të dyqaneve zyrtare të skuadrës, kjo uniformë ka pasur sukses.

fanella 3

7 Fiorentina 1991/92 – Fanella e parë e Batistuta-s – edhe e Effenberg – është një nga më të çuditshme e të gjitha kohërave. Ngjyra shumë të ndezura mbi një sfond të karakterizuar me disa punime që në atë kohë kanë krijuar shumë polemika, duke parë se për disa ka qenë një simbol pro nazizmit. Arsyeja? Po ta shikoni me vëmendje mund të vini re disa svastika (kryqi i thyer) në fanellë.

fanella 4

 

6 Lazio 1989/90 – Lazio i besoi Umbro-s, një sponsor teknik që ishte në modë në vitet 90-të, i famshëm për punime ekstreme dhe të diskutueshme. Lazio e atij viti ka shpalosur një fanellë të karakterizuar me një sfond të mbushur me trekëndësha të përmbysur. Gjëra të tilla mund të shiheshin vetëm në atë dhjetëvjeçar.
fanella 5

5 Napoli 1991/93 – Edhe Napoli nuk ka qëndruar mbrapa dhe, rastësisht, edhe ata kanë bashkëpunuar me Umbro-n. Një ngjyrë e kaltër e ndezur dhe një sfond që ka qenë më i përshtatshëm për një pikturë të Picasso-s se sa për fanellën e një skuadre futbolli.
fanella 6

4 Roma 1979/80 – Një anomali absolute në historinë e klubit verdhekuq. Pantallona të shkurtra, çorape dhe mëngë të gjitha të bardha, ndërsa vetëm busti ka pasur një ngjyrë të verdhekuqe të ndezur. Një design i denjë për vitet ’70-të. Në vitet pasardhëse nuk është parë më kurrë një gjë e tillë, ndërsa për koleksionistët ajo fanellë është një gjë e rrallë dhe me vlerë.

fanella 7

3 Pescara 1991/93 – Kur e shikon sot duket absurde se si ka ekzistuar një periudhë ku mund të luhej me një fanellë të tillë. Në fakt, shpjegimi i vetëm që mund të jepet për këtë fanellë është se sponsori ka qenë një kompani që prodhonte akullore dhe që ka dashur të pasqyronte sa më shumë të ishte e mundur produktin që ofronte.

fanella 8

2 Venezia 1999/2000 – Fanellë me shirita të portokalli, të zinj dhe jeshil. Një kombinim ngjyrash që do të ishte i ndaluar edhe të përmendej sipas këtij rendi, por që mbahet mend për faktin se është mbajtur veshur nga Recoba më i mirë i të gjitha kohërave.

Fanella 9

1 Inter 2016-17 – Çfarë guximi! Mendjet krijuese të Nike këtë herë kanë kaluar vetveten, duke prezantuar çorape me një ngjyrë të verdhë të ndezur dhe duke e kombinuar me ngjyrën e numrave. E gjitha kjo mbi një ngjyrë ziklatër në versionin natë pa hënë, që më e errët nuk mund të ishte. Në të vërtetë e verdha për fanellat e Inter është përdorur edhe në fillimin e viteve 2000, por kurrë në një mënyrë kaq ekstreme.
fanella 10