1 milion euro kokainë – tre shqiptarë dhe një grek arrestohen për trafik droge në Itali

12.11.2017 10:25
1 milion euro kokainë – tre shqiptarë dhe një grek arrestohen për trafik droge në Itali

Katër persona janë arrestuar nga policia italiane në Frosinone pas sekuestrimit të një sasie prej 11 kg kokainë. Ky ishte bilanci i një operacioni brilant të përfunduar nga Policia italiane dhe Guardia di Finanza.

Ndërhyrja blic nisi gjatë natës së kaluar në përfundim të hetimeve që Guardia di Finanza kishte nisur në zonën hekurudhore, vendi i preferuar për përdoruesit dhe shpërndarësit.

Pikërisht gjatë këtyre hetimeve, ishte pikasur një automjet “Volkswagen Tiguan” me targa greke i dyshimtë në rrugë “Gaeta”.

Pas kryerjes së disa kontrolleve, rezultoi se pikërisht në atë zonë ishte rezident një shtetas shqiptar me precedentë kriminalë për veprën penale të shpërndarjes së drogës.

Në këtë pikë, me ndihmën e kolegëve të skuadrës lëvizëse filloi një shërbim vëzhgimi.

Pas rreth 5 orësh monitorim, tre persona me origjinë shqiptare u panë të hynin në parkimin ku ndodhej makina me targa greke, që drejtohej nga një 60-vjeçar me origjinë greke.

Në atë moment policia ndërhyri. Nervozizmi i çuditshëm i treguar nga shqiptarët ka bërë dyshues efektivët që filluan të çmontonin makinën. Dhe vetëm me heqjen e një feneri, të vulosur mirë, u gjetën 11 kilogramë kokainë, nga të cilat do të nxirreshin rreth tetë mijë doza. Në tregun me pakicë, e gjithë kjo drogë do të sillte të ardhura më shumë se 1 milion euro.

Katër personat u arrestuar për trafik droge. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 5 automjete dhe 13 telefona. Ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbuluar se nga ka ardhur droga dhe për kë ishte destinuar.