​Përurohet sheshi “Adem Jashari” – propozohen tri lokacione për shtatoren

​Përurohet sheshi “Adem Jashari” – propozohen tri lokacione për shtatoren

Në përvjetorin e 20-të të Epopesë së UÇK-së, Komuna e Prishtinës përuroi sheshin “Adem Jashari”, i cili ka marrë pamje të re, ndërkohë që janë propozuar tri lokacione për vendosjen edhe të shtatores e komandantit legjendar të UÇK-së.

Ky shesh, i cili gjendet në mes të objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, për vite të tëra ka qenë në gjendje shumë të keqe, ndërsa projekti për rregullimin e tij ka nisur më 13 mars të këtij viti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ka pasur vonesa në realizimin e këtij projekti pasi një pjesë e hapësirës i takon  Kuvendit, ndërsa tash është shumë i lumtur që më në fund po përfundon ky projekt, shkruan KP.

I pari i Prishtinës ka folur edhe rreth hapësirës së mundshme për vendosjen e shtatores së heroit legjendar të luftës së UÇK-së, Adem Jashari.

“Ne si Komunë kemi propozuar tri lokacione të ndryshme për ta gjetur vendin meritor. Natyrisht, se mendojmë duhet të jetë në afërsi të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose ta gjejmë edhe një vend më të mirë. Megjithatë ne duhet ta gjejmë vendin më meritor, më të mirë se ky, në mënyrë që shtatoren e Adem Jashari që ta vendosim sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Kostoja e projektit për rinovimin e sheshit “Adem Jashari” ka qenë rreth 309 mijë euro. Ai tani ka më shumë hapësirë të gjelbër, dhe më shumë ulëse për pushim. Është bërë ndërrimi i pllakave të dyshemesë dhe revitalizimi i hapësirave të gjelbra rreth saj, duke mos i ndryshuar elementët përbërëse të sheshit tani.