​Lojtarët e Vëllaznimit në bojkot, Munishi paralajmëron largimin

​Lojtarët e Vëllaznimit në bojkot, Munishi paralajmëron largimin

Futbollistët e skuadrës së Vëllaznimit kanë bojkotuar stërvitjet shkaku i vonesës së pagave, ndërsa trajneri Ismet Munishi lë të hapur mundësinë e largimit

Skuadra e Vëllaznimit e ka nisur shumë mirë sezonin 2017/18 në Superligën e Kosovës në futboll, duke qenë në mesin e pesë skuadrave më të mira.

Por, ecuria e suksesshme e Vëllaznimit është vënë në dyshim, shkaku i kushteve jo të mira financiare dhe vonesës së pagave prej 20 ditësh.

Kjo ka bërë që futbollistët e Vëllaznimit sot të bojkotojnë stërvitjen, në shenjë proteste për mos kryerjen e obligimeve ndaj tyre.

Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Ismet Munishi, i cili la të hapur largimin e tij nga skuadra dhe mundësinë që në fundjavë të mos luajnë ndaj skuadrës së Llapit në udhëtim.

“Po, lojtarët janë në bojkot, sepse pagat janë vonuar që 20 ditë”, tha fillimisht Munishi për Express.

“Tashmë të gjitha rrugët janë të hapura dhe unë po e mendoj edhe largimin. Po ashtu ende nuk kemi vendosur nëse do të luajmë ndaj Llapit në fundjavë”, tha ai në fund.

Pas pesë xhirove të para Vëllaznimi renditet në vendin e pestë me tetë pikë, tri më pak se sa kundërshtari i ardhshëm Llapi në vendin e parë.